Telegrafi

Pushtimi i Ukrainës nuk i shkoi sipas planit Putinit, nënshkruan dekretin për të rritur numrin e forcave ushtarake ruse

Lufta në Ukrainë nuk është duke shkuar siç e kishte planifikuar presidenti rus Vladimir Putin, kjo për faktin se çdo ditë raportohet për numër të madh të ushtarëve të vrarë rusë.

Këtë gjë më së miri e dëshmon se Putin ka urdhëruar rekrutimin e 137 mijë ushtarë tjerë, që deri më 2023 do të regjistrohen dhe të jenë pjesë e forcave mbrojtëse të Rusisë, transmeton Telegrafi.

Në anën tjetër, dekretin për mobilizim nuk e ka komentuar Kremlini – duke tentuar me çdo kusht të shmang pyetjet e atyre pak mediave të pavarura ruse – nëse ky veprim ka të bëjë me humbjen e numrit të madh të ushtarëve rusë në luftimet e ashpra me ukrainasit.

Lexo po ashtu Nga sulmi rus në stacionin e trenave në Chaplyne të Ukrainës, humbin jetën 25 civilë – në mesin e tyre edhe dy fëmijë

Madje Moska zyrtare nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, ka refuzuar të publikojë raportet në baza ditore sa i përket humbjeve që i ka pësuar gjatë luftimeve në Ukrainë.

Ukraina pretendon se nga fillimi i luftës kanë humbur jetën mbi 45 mijë ushtarë rusë – e shumë më shumë tjerë janë plagosur.

Humbje të mëdha rusët kanë pësuar edhe në makinerinë luftarake, ku mijëra mjete të blinduara, e qindra helikopterë e aeroplanë janë shkatërruar në fushëbetejë. /Telegrafi/