Në nder të 3 dhjetorit, e njohur ndërkombëtarisht si Dita e Personave me nevoja të veçanta, u realizuan disa aktivitete që zbukuruan këtë ditë për ata që vërtet kanë nevojë.
Ashtu edhe siç kishte paralajmëruar, balerini Shemsedin Sajhadi për të pestin vit me radhazi, organizoi kampanjën sensibilizuese “Ti barabartë unë”.
Ky projekt që në qendër të tij ka personat me nevoja të veçanta, inkuadron edhe shumë personazhe të njohur të skenës shqiptare, duke iu mundësuar atyre një takim me këta persona të veçantë.
Sabri Fejzullahu, Shyhrete Behluli, Genta Ismajli, Nora İstrefi, Dhurata Dora, Tayna, 2Ton, Besnik Qaka NRG Band, Capital T, Majk dhe moderatori Labinot Gashi – janë emrat të cilët u bënë pjesë e kësaj fushate sensibilizimi.
Në kanalin YouTube është publikuar një video nga takimet që ata kanë zhvilluar, teksa mesazhi ka qenë i qartë: “Një buzëqeshje dhe mbështetje për ata që kanë nevojë”.
Organizatori i kësaj iniciative, balerini Shemsedin Sajhadi thotë për Telegrafin se ndjehet i lumtur që edhe këtë vit pati shansin ta çojë përpara këtë kauzë.
“Me rastin e 3 dhejtorit që shënohet si Dita e personave me nevoja të veçanta, edhe këtë vit kemi realizuar një projekt mbështetur nga shumë emra të njohur të estradës, për t’iu dhuruar buzëqeshje atyre që vërtet kanë nevojë”, tha Sajhadi.
Videoja e shpërndarë tashmë gjithandej në rrjetet sociale është gjithashtu një tjetër element kyç i projektit, pasi çdo klikim i kësaj videoje në YouTube do të shkojë për fondin e personave me nevoja specifike. /Telegrafi/