Telegrafi

Publikohen votat e Kosovës dhe Shqipërisë për Topin e Artë

Foto: Getty Images

Luka Modric fitoi Topin e Artë dhe kështu ndali dominimin e Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit.

Ylli kroat pas fitimit të Ligës së Kampionëve me Real Madridin dhe arritjes në finale të Kampionatit Botëror ‘Rusia 2018’, ku edhe ishte lojtari i Botërorit nga FIFA, mori më së shumti vota në mbrëmjen gala të organizuar të hënën nga gazeta franceze, France Football.

Fituesi është zgjedhur nga votat e gazetarëve nga e gjithë bota, të cilat tashmë edhe janë publikuar.

Nga Kosova votoi gazetari Bajram Shala, i cili me gjashtë pikë në vendin e parë e vendosi Modricin, pastaj Kylian Mbappen (katër pikë), Cristiano Ronaldon (tre pikë), Raphael Varane (dy pikë) dhe në vendin e pestë e vendosi francezin, Antoine Griezmann (një pikë).

Ndërsa nga Shqipëria votoi, Besnik Dizdari, i cili paksa befasoi me vendin e parë, ku pikët maksimale të tij i takuan Griezmannit.

Në katër pozitat tjera ai vendosi Modricin, Ronaldon, Messin dhe Mbappen.

Ylli kroat në fund mblodhi 753 pikë, dukshëm më shumë se vendi i dytë CR7 me 476 pikë, ndërsa Griezmann ishte i treti me 414.

Mbappe me 347 pikë, ndërsa top pesëshja mbyllet nga Lionel Messi me 280 pikë. /Telegrafi/