Site icon Telegrafi

Publikimi i mesazheve përmes aplikacionit Signal, SPAK: Bisedat janë të manipuluara

Disa ditë pasi kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi dorëzoi në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) telefonin për shkak të hetimeve nga kjo prokurori për nxjerrje të bisedave të SkyECC, SPAK ka njoftuar sot se nga verifikimet e deritanishme, bisedat e kryera nëpërmjet SKY/ECC janë manipuluar duke sajuar biseda të pavërteta për individë dhe veprime të kundërligjshme.

“Në përgjigje të interesimit të shtuar të mediave informojmë publikun se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është vënë në dijeni për disa mesazhe që i kanë mbërritur politikanëve dhe figurave publike gjatë ditëve të fundit përmes aplikacionit të koduar të komunikimit, Signal. Nga verifikimet e deritanishme të Prokurorisë së Posaçme, mesazhet e pretenduara se rrjedhin nga transkripte bisedash të kryera nëpërmjet SKY/ECC janë manipuluar duke sajuar biseda të pavërteta për individë dhe veprime të kundërligjshme”, njofton SPAK.

Prokuroria e Posaçme njofton se po monitoron nga afër këtë situatë dhe ka nisur verifikimet për të identifikuar burimet e këtyre mesazheve me qëllim ndjekjen penale të autorëve.

“I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve dhe aktorëve publikë të tregojnë kujdes kur ndërveprojnë me mesazhe të kësaj natyre, si dhe të shmangin shpërndarjen e materialeve të paverifikuara”, apelon SPAK.

Një javë më parë Gazment Bardhi dorëzoi telefonin e tij në SPAK dhe ju tha gazetarëve se bisedat që ia kanë dërguar janë të sajuara dhe pas asnjë lidhje me platformat Sky ECC apo Encro Chat. Ai deklaroi se nuk ka pasur asnjë lidhje me Ervis Martinajn apo ndonjë kriminel tjetër.

Exit mobile version