Telegrafi

“Pse? Sepse nuk kishte raketa më”: Zelensky shpjegon pse Ukraina nuk mundi të ndalonte sulmin rus që shkatërroi një termocentral të madh

Mungesa e raketave të mbrojtjes ajrore e pengoi Ukrainën të ndalonte një sulm raketor rus javën e kaluar që shkatërroi termocentralin më të madh në rajon rreth kryeqytetit Kiev, tha presidenti Volodymyr Zelensky.

Komentet e Zelenskyt, të cilat pasojnë paralajmërimet e përsëritura nga qeveria e tij për aleatët e saj për mbrojtje të pakta ajrore, pasqyrojnë situatën e rëndë në të cilën ndodhet Ukraina, ndërsa Rusia përshkallëzon sulmet në sistemin e saj energjetik.

“Ishin 11 raketa që fluturonin. Ne shkatërruam shtatë të parat, dhe katër (të mbetura) shkatërruan Trypillian. Pse? Sepse nuk kishte raketa më. Na mbaruan raketat për të mbrojtur Trypillia”, ka thënë Zelensky, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Aleatëve u është dhënë një listë specifike e armëve që i duhen Ukrainës për të fituar luftën – thotë Zelensky

Zelensky ka paralajmëruar më herët se Ukrainës tashmë i është dashur të bëjë zgjedhje të vështira se çfarë të mbrojë dhe tha se vendit të tij mund t’i mbarojnë plotësisht raketat mbrojtëse nëse sulmet ruse vazhdojnë me shpejtësi.

I shkatërruar në sulmin e 11 marsit, termocentrali ishte impianti më i madh energjetik pranë Kievit dhe u ndërtua për të pasur një kapacitet prej 1,800 megavat, më shumë se nevojat e para luftës së qytetit më të madh të Ukrainës.

Stacionet e tjera dhe importet kanë mbushur boshllëkun për momentin, por banorëve u është kërkuar të kursejnë energjinë. /Telegrafi/