Site icon Telegrafi

Pse Putini përfiton nga zgjatja e luftës, edhe pse thotë se ai mund të jetë një paqebërës në konfliktin Izrael-Palestinë?

Ndërsa dhuna mes Izraelit dhe Hamasit shpërtheu, Kremlini u përpoq të vendoste presidentin rus Vladimir Putin në rolin e “ndërmjetësit të paqes”.

Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia mund të veprojë si ndërmjetëse në vazhdën e sulmeve të grupit militant ndaj qyteteve izraelite, një festivali muzikor dhe bazave ushtarake, dhe bombardimeve të Gazës nga Izraeli.

Rusia, tha Peskov, synon “të vazhdojë të bëjë përpjekje dhe të luajë rolin në drejtim të ofrimit të ndihmës për të kërkuar mënyra për një zgjidhje”.

Ndërsa duke folur të enjten, Putin tha se Rusia mund të “të japë një kontribut në procesin e paqes”.

“Epo, pse jo?”, tha ai. “Ne kemi pasur marrëdhënie biznesi shumë të qëndrueshme me Izraelin. Ne kemi pasur marrëdhënie miqësore me Palestinën për dekada”.

Por pretendimet e Rusisë nuk duhet të merren “shumë të sinqerta”, paralajmërojnë analistët, shkruan Business Insider, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Nga viti 1947 deri në 2023: Një kronologji ngjarjesh të konfliktit kompleks dhe tragjik izraelito-palestinez

Ata thonë se Putini ka më shumë për të fituar, jo duke i dhënë fund shpejt konfliktit, por duke e zgjatur atë për të çuar përpara qëllimet strategjike të Rusisë, veçanërisht në Ukrainë.

Rritja e çmimeve të naftës dhe shpërqendrimi i aleatëve nga Ukraina

Putini “po luan një lojë të gjatë” në Ukrainë, të cilën forcat e tij e pushtuan në vitin 2022.

Ai shpreson që angazhimi i aleatëve perëndimorë të Ukrainës, të cilët kanë dhënë miliarda ndihma dhe armë, do të fillojë të dobësohet.

“Një krizë rivale për të shpërqendruar aleatët e Ukrainës, në formën e luftës në Lindjen e Mesme, mund të sigurojë pikërisht këtë”, shkruan Robert Dover, profesor i Inteligjencës dhe Sigurisë Kombëtare në Universitetin e Hull në Mbretërinë e Bashkuar.

Një konflikt i tillë do të largonte vëmendjen, energjinë diplomatike, madje edhe burimet ushtarake nga Ukraina nëse Izraeli do të nisë një pushtim tokësor të Gazës, vlerëson Dover.

Një faktor tjetër është çmimi i naftës.

Rusia është shumë e varur nga eksportet e saj të naftës për të financuar fushatën e saj në Ukrainë dhe ka vepruar së bashku me Arabinë Saudite për të ulur furnizimet dhe për të rritur çmimet.

Andaj, paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme, rajoni kryesor i prodhimit të naftës në botë, mund të rrisë më tej çmimet.

“Ndërsa çmimet e naftës rriten, kjo u mundëson atyre të vazhdojnë shpenzimet për prodhimin e armëve dhe gjithashtu i ndihmon ata të mbulojnë disa deficite buxhetore”, i tha Bloomberg, Ann Marie Dailey, një studiuese e politikave në Rand Corporation. “Rusia absolutisht fiton një avantazh nga kjo në afat të shkurtër”.

Përfitimet diplomatike

Rusia kishte një prani periferike në Lindjen e Mesme pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Por në dekadat e fundit, Putini ka rikthyer ndikimin rus në rajon, duke krijuar lidhje të ngushta me Iranin, duke ndërhyrë në luftën civile siriane për të ndihmuar në mbështetjen e diktaturës së Bashar al-Asad dhe duke kultivuar lidhje me rivalët e tyre.

Putin gjithashtu ka marrëdhënie miqësore me të dyja palët e konfliktit Izrael-Palestinë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka refuzuar të kritikojë pushtimin rus të Ukrainës dhe zyrtarët rusë muajt e fundit janë takuar me delegacione nga Hamasi, të cilin ai nuk e cilëson si grup terrorist.

Lexo po ashtu Analiza e CNN: Ku e mori Hamasi sasinë e madhe të armëve që e përdori për të sulmuar Izraelin?

Kjo e vendos Rusinë në një pozicion unik për të pasur marrëdhënie të mira me qeveritë e armiqve të paepur rajonalë.

Por përpjekjet e Rusisë për të luajtur si ndërmjetësin e paqes nuk kanë gjasa të jenë të sinqerta, me Arkadi Doubnov, një ekspert me bazë në Moskë për politikën e jashtme ruse, duke i thënë Le Monde se dukej se ishte pjesë e një dredhie për të fajësuar SHBA-në për krizën.

Por Dover, eksperti i Universitetit Hull, beson se nëse Rusia do të ndërmjetësonte bisedimet, ajo mund të rriste “besueshmërinë e saj ndërkombëtare”.

“Arritja për të ndërmjetësuar një formë të de-përshkallëzimit e sjell Rusinë pak më afër me rrjedhën kryesore të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe e lejon atë të bëjë një pretendim – që do të pritej shumë mirë në Indi, Afrikën e Jugut, Kinë, e kështu me radhë – që është një aktor pozitiv dhe i angazhuar në sistemin ndërkombëtar”, tha ai për Business Insider.

Veç këtyre, Rusia ka kërkuar të përdorë shpërthimin e dhunës për të dëmtuar Ukrainën, duke e akuzuar pa bazë për furnizim me armë për militantët e Hamasit. /Telegrafi/

Exit mobile version