Partia Socialdemokrate në 5-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit kanë bërë një aksion simbolik duke vendosur pankarta të objekti i Qeverisë së Kosovës.
Në këto pankarta janë shkruar deklarata që ishin bërë në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit nga kryeministri, Albin Kurti, kryekuvendari, Glauk Konjufca e ministrat, Albulena Haxhiu e Xhelal Sveçla.
Pas vendosjes së pankartave para medieve ka folur kryetari i PSD-së, Frashër Krasniqi.
“Astrit Dehari është emër që për katër vite nuk e kanë hequr prej gojës Albin Kurti e LVV-ja. Astrit Deharin e ka përmendur Albin Kurti vetëm pas vdekjes së tij, nuk e ka thënë asnjë fjalë për 2 muaj kur ishim arrestuar. Albin Kurti vendosi ta përdorë vetëm kur ky emër u bë i përdorshëm elektoralisht dhe politikisht. Nuk e përmendi as edhe një herë të vetme prej momentin kur e siguroi pushtetin”, tha Krasniqi para medieve.
Ai tha se Kurti e Haxhiu kanë shumë pushtet, por nuk kanë bërë asgjë për zbardhjen e rrethanave të vdekjes.
“Ka 8 muaj që ata kanë shumë pushtet, ndërkohë nuk kanë bërë asnjë veprim për zbardhjen e rastit e vdekjes së Astrit Deharit, asnjë veprim për të vënë drejtësinë në vend”, tha Krasniqi. /Telegrafi/