Site icon Telegrafi

PS nis procesin e propozimeve për presidentin e ri, Rama: Shqipërisë i duhet një president normal, e kundërta e Metës

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipërisë i duhet një president normal, e kundërta e Ilir Metës.

Në mbledhjen e grupi parlamentar të Partisë Socialiste, Rama u ndal në nisjen e procesit të identifikimit të kandidaturës për presidentin apo presidenten e Republikës.

“Do t’ju ftoja të gjithë ju që përtej këtij procesi që nisim sot me propozimet e sekretuara të gjithsecilit që do të administrohen nga komisioni përkatës, të vazhdojmë të jemi të gjithë aktivë në këtë proces për të dalë në konkluzione sa më të shëndetshme”, tha Rama.

Kryeministri tha se “qëllimi është të arrijmë t’i ofrojmë Kuvendit dhe pastaj Republikës sonë një figurë dinjitoze për kreun e shtetit”.

Rama tha se “për herë të parë Partia Socialiste ka mundësinë ta zgjedhë e vetme Presidentin apo Presidenten e Republikës, çka do të thotë se për herë të parë Partia Socialiste ka të gjithë përgjegjësinë për cilësinë e kandidaturës”.

Nga ana tjetër, Rama tha se “ajo çka e bën këtë moment shumë përcaktues për karakterin, për ambicien dhe për profilin e Partisë Socialiste, është se nuk mjafton thjeshtë të zgjedhim një person që do të ishte më i përshtatshëm për atë rol sesa Ilir Meta, gjë që do ta përmbushnin si kriter 90% e shqiptarëve”.

Rama ka sqaruar edhe njëherë zgjedhjen e Presidentit Meta në vitin 2017.

Lexo po ashtu PS fillon të mërkurën konsultimet me opozitën për zgjedhjen e presidentit, Balla: Nga e marta presim propozime me emra konkretë

“Këtu është rasti për ta përsëritur! Zgjedhja e Ilir Metës President ishte një zgjedhje me detyrim përcaktim për ne, që nuk i kishim votat për të zgjedhur Presidentin e Republikës dhe që njëkohësisht gjendeshim në një kontekst politik te jashtëzakonshëm po të kemi parasysh se mungonte opozita zyrtare në sallë dhe nga ana tjetër vullneti dhe dëshira jonë ishte që zgjedhja jonë të binte mbi dikë që në një fare mënyre do të mund ta përfaqësonte edhe opozitën”, tha Rama

“Në ato kushte ne zgjodhëm një president për opozitën, por duke menduar aso kohe se do të ishte dhe një president për Shqipërinë natyrisht”, shtoi ai.

Sipas Ramës, “rrjedhja e ngjarjeve tregoi krejt të kundërtën për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe natyrisht i dha vendit një President i cili ishte shëmbëlltyra më e keqe e opozitës më të keqe që ky vend ka pasur qysh prej vitit 1991”.

Rama shtoi se do ti hapen rrugë ideve, sugjerimeve, propozimeve të anëtarëve të grupit parlamentar të PS-së, në një proces konfidencial.

Ai tha se “procesi nuk mund të mbetet i mbyllur vetëm brenda grupit parlamentar dhe për këtë arsye ne kemi edhe komision të përbërë nga kryetari i grupit, nga ministrja e Marrëdhënieve me Parlamentin dhe nga sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste për të komunikuar edhe me pjesët e tjera të Kuvendit të Shqipërisë, por për të hapur një kanal edhe me publikun, gjë që tanimë është bërë duke i dhënë të gjithëve mundësinë që të bëjmë propozimet e tyre”.

Rama tha se “është jashtëzakonisht e rëndësishme që Partia Socialiste të dalë faqebardhë nga ky proces dhe të mos kthejë kokën mbrapa dhe të mos jetë e detyruar të përballet çdo ditë me fatalitetin e një zgjedhjeje që në rastin e Ilir Metës ishte një zgjedhje me detyrim-përcaktim, por sidoqoftë na u desh të përballemi për një kohë të gjatë me fatalitetin e asaj zgjedhjeje”.

Ai siguroi se “ky proces është 100% real, i vërtetë, serioz sepse të gjithë së bashku dhe unë në krye, sepse unë e kam nderin më të madh këtu nga të gjithë ju, kemi një përgjegjësi shumë të madhe”.

Kryeministri theksoi se “përfshirja e të gjithëve do jetë shumë pozitive në vazhdim dhe natyrisht, ky është një proces i hapur”.

Anëtarët e grupit parlamentar të PS-së propozuan sot nga tre emra për president në një votim të fshehtë të organizuar në përmbyllje të takimit. /Telegrafi/

Exit mobile version