Telegrafi

Provokimet me grafite në komunat veriore – prokuroria thotë se po heton rastin në koordinim me policinë

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, në komunat veriore u panë grafite të reja me mesazhin “Kur të kthehet ushtria në Kosovë, Brigada e Veriut jeton”.

Këto grafite ishin shkruar në objekte të ndryshme në veri të Mitrovicës, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

Lidhur me këtë rast, nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës kanë deklaruar për Telegrafin se rastet janë cilësuar si “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Lexo po ashtu Pas veriut të Mitrovicës, grafite të ngjashme shfaqen edhe në tri komunat tjera veriore – policia nis hetimet

Kështu është shprehur zëdhënësi i kësaj prokurorie, Valon Preteni.

“Është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, se në Zubin Potok, Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviq janë hasur disa grafite çirilicë në disa vende të ndryshme nëpër këto qytete. Prokurori ka kualifikuar si “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, rasti është duke u hetuar në koordinim me policinë e Kosovës”, ka thënë Preteni.

Ndërkaq Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se shkrimi i këtyre grafiteve kishte ndodhur gjatë natës nga persona të panjohur dhe se rastet janë duke u hetuar.

Lexo po ashtu “Kur të kthehet ushtria në Kosovë, Brigada e Veriut jeton” – shfaqen grafite të reja në veri të Mitrovicës

“Raportohet se persona të panjohur gjatë natës në disa lokacione kanë shkruar grafite me përmbajtje të përçarjes dhe nxitjes së urrejtjes ndër etnike. Rasti është duke u hetuar”, ka njoftuar policia.

Këto grafite siç duket janë shkruar nga “Brigada e Veriut” e cila nga Qeveria e Kosovës është shpallur organizatë terroriste së bashku me organizatën tjetër të ashtuquajtur “Mbrojtja Civile”. /Telegrafi/