Telegrafi

Protesta e djeshme në Jarinjë, Bislimi: Ka pasur plan ruso-serb për djegien e kësaj pike kufitare

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka reaguar pas protestës të së dielës të djathtistëve serb në Jarinjë në anën e territorit serb.

Bislimi ka thënë se Serbia dje nuk ndaloi huliganët serbë, por u tërhoq nga plani për djegien e Jarinjës.

Më tej zv.kryeministri ka theksuar se intensiteti i sulmeve hibride të Serbisë dhe Rusisë ndaj Kosovës është rritur ndjeshëm.

“Grafiku i punuar nga institucionet e sigurisë, që pasqyron vetëm krizën e djeshme në Jarinjë, tregon qartë edhe aktorët e përfshirë dhe autorin e vërtetë, Putinin. Ka pasur plan ruso-serb, që dje të digjej pika kufitare e Jarinjës. Ky plan u parandalua nga institucionet e Republikës së Kosovës (veçmas mekanizmat e sigurisë), në bashkëpunim me partnerët perëndimorë (veçmas amerikanët)”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Bislimi ka shtuar se pavarësisht se policia e Serbisë, dje u shfaq duke i ndaluar huliganët që mos ta djegin Jarinjën, ky quhet vetëm një akt tërheqjeje nga ana serbe, duke e parë se një gjë e tillë do t’iu dështonte.

“Siç e ka Serbia aleat Rusinë e Kinën, ne e kemi aleat Perëndimin dhe SHBA-në. Ata përfaqësojnë agresionin, ne përfaqësojmë lirinë!”, ka shkruar Bislimi. /Telegrafi/