Frank Warren i ka akuzuar Anthony Joshuan dhe Eddie Hearnin se i janë shmangur meçit shumëmilionësh kundër Deontay Wilder.
Ka kohë që flitet për një superduel për unifikimin e titujve, ndërmjet boksierit britanik dhe atij amerikan.
Mirëpo, AJ tashmë është detyruar ta mbrojë titullin WBA kundër Alexander Povetkinit që do të thotë se meçi ndaj Wilder është shtyrë ndoshta për vitin tjetër.
Promovuesi i boksit, Frank Warren, ka thënë se fajtorët kryesorë për dështimin e përballjes janë pikërisht Joshua dhe promovuesi i tij, Hearn.
“Arsyet pse duelet nuk ndodhin janë, një – paratë dhe dy – nëse nuk e duan”, ka thënë Warren për ESPN.
“Nëse dikush të garanton, 80 milionë dollarë (70.5 milionë euro), 50 milionë (44 milionë euro) për meçin e parë dhe 30 milionë (26.5 milionë euro) për të dytin, atëherë kjo më thotë se ti nuk e do një duel”.
“Arsyeja e vetme pse ky duel nuk po bëhet është për shkak se Anthony Joshua, apo menaxhmenti i tij apo trajnerët nuk e duan meçin, përndryshe do të ndodhte”, ka thënë Warren.
Meqenëse nuk po ndodh dueli me Joshuan, Wilder është duke menduar për një duel në dhjetor me ish-kampionin e WBA, IBF, WBO dhe IBO, Tyson Fury.
Britaniku duhet ta mposhtë një herë Francesco Pianetan në duelin e të shtunës dhe pastaj mund të ndodhë meçi ndaj ‘Bomberit të bronztë’. /Telegrafi/