Site icon Telegrafi

Prokuroria e Posaçme SPAK i kërkon përgjegjësi Ministrisë së Brendshme: Mbështetësit e Veliajt sulmuan gjyqtarët e prokurorët

Prokuroria e Posaçme bën me dije se përmes një shkrese zyrtare që i është dërguar Ministrisë së Brendshme, kërkon vendosjen para përgjegjësisë të personave që penguan Policinë e Shtetit që të vepronte për të ruajtur rendin dhe sigurinë gjatë tubimit të mbështetësve të kryebashkiakut Erion Veliaj.

“SPAK ka kërkuar përmes shkresës zyrtare me nr. protokolli 5458, dt. 14.02.2025: Marrjen e masave nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të vënë përpara përgjegjësisë personat përgjegjës për mungesën e reagimit. Një shpjegim të argumentuar për mungesën e masave si në rastet e ngjashme në incidentin e datës 12.02.2025”, thuhet në njoftim.

Po ashtu SPAK në këtë reagim e konsideron qëndrimin e Policisë së Shtetit përkundrejt rastit, një shkelje flagrante të detyrimeve ligjore dhe një cenim serioz të pavarësisë së institucioneve të drejtësisë.

“Mosveprimi për të garantuar sigurinë e prokurorëve dhe gjyqtarëve si dhe institucioneve të drejtësisë bie ndesh edhe me standardet ndërkombëtare si dhe ato që lidhen me kushtet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian për mbrojtjen e sundimit të ligjit. Shkresa i është drejtuar veç Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, edhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore si edhe për dijeni Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri”, informon SPAK.

Kjo kërkesë përkundrejt Ministrisë së Brendshme për të gjetur përgjegjësit, vjen vetëm pak pasi GJKKO dhe SPAK iu drejtuan institucionit të drejtuar nga Ervin Hoxha, duke shprehur shqetësimin mbi mungesën e reagimit në garantimin e sigurisë dhe rendit publik, përpara dhe gjatë seancës gjyqësore për verifikimin e masës së sigurisë për Veliajn.

“Seanca gjyqësore zhvillohej për marrjen në pyetje të personave nën hetim E.V, A.X, E.A, G.S, M.P, F.B, dhe Sh.F për verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit. Gjatë protestës së zhvilluar më 12.02.2025, protestuesit kanë penguar lëvizjen e prokurorëve, gjyqtarëve dhe personelit duke sulmuar automjetet dhe kanë përdorur fyerje dhe kërcënime ndaj tyre. Duke u mbështetur tek raportimet e punonjësve të Gardës së Republikës janë kryer kërkesa të përsëritura për ndihmë drejtuar Policia e Shtetit për të garantuar perimetrin e jashtëm të SPAK dhe Gjykatave të Posaçme, duke vendosur një kordon sigurie të forcave policore. Kjo praktikë është ndjekur edhe më parë në protestat e zhvilluara, pranë ambienteve të SPAK dhe Gjykatave të Posaçme”, evidentojnë institucionet e drejtësisë.

Exit mobile version