Telegrafi

Prokurori Maloku: Aksioni i sotëm në Shtërpcë nuk lidhet me ndërtimet pa leje në Brezovicë

Aksioni i sotëm që po zhvillohet në Shtërpcë është i zakonshëm dhe nuk ndërlidhet me ndërtimet pa leje në Brezovicë.

Kështu deklaroi për Telegrafin prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Rasim Maloku.

Ai tha se janë duke u bastisur katër lokacione të ndryshme, si dhe është duke u bërë largimi i kamerave të vendosura nga strukturat ilegale.

Lexo po ashtu Aksioni policor në Shtërpcë - sekuestrohen dosjet e strukturave paralele të Serbisë

Maloku tutje deklaroi se aksioni ndërlidhet me ish-kryetarin e komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq, pasi “i njëjti është koordinator i strukturave ilegale serbe”.

“Është një operacion i zakonshëm. Do të sekuestrohen të gjitha pajisjet dhe kamerat e vendosura nga struktura paralele të Serbisë. Ish-kryetari i komunës, Bratisllav Nikoliq është edhe koordinator i strukturave ilegale e që këto struktura kanë menaxhuar me kamerat e sigurisë që kanë monitoruar lëvizjet e qytetarëve dhe institucionet publike të Republikës së Kosovës. Këto informacione janë përcjellë në strukturat e sigurisë në Serbi”, tha ai.

Lexo po ashtu Aksion i gjerë i policisë në Shtërpcë, sekuestrohen kamerat e vendosura nga strukturat ilegale

Ndërsa, përmes një komunikate për media, Prokuroria në Ferizaj njoftoi se ende nuk ka persona të arrestuar.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, do t’iu mbaj të informuar me kohë për të gjitha zhvillimet e tjera rreth këtij aksioni”, thuhet në njoftimin për media./Telegrafi/