Krijimi i Fondit Sovran dhe atij Zhvillimor, programi “8 orë punë”, shuarja e Agjencisë së Privatizimit dhe departizimi i plotë i bordeve të ndërmarrjeve publike, janë disa nga pikat që qeveria e re e udhëhequr nga Albin Kurti pritet t’i zbatoj në këtë mandat.
Në marrëveshjen për bashkëqeverisje në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilën e ka siguruar Telegrafi, në pjesën për zhvillim ekonomik thuhet se, partnerët do të vendosin indikatorët e performancës për secilën ndërmarrje publike.
“Në fillim të mandatit, Qeveria dhe Kuvendi do të rishikojnë performancën e ndërmarrjeve publike dhe do të marrin vendimet e nevojshme për ato ndërmarrje që kanë pasur performancë jo të kënaqshme dhe negative. Ky vlerësim do të bazohet në raportet vjetore të ndërmarrjeve publike, në plate strategjike të ndërmarrjeve publike nga vitet e mëparshme dhe në raportet e Auditorit të Përgjithshëm”, thuhet në marrëveshje.
Në dokument tregohet se partnerët e koalicionit janë pajtuar të mbështesin zhvillimin e ndërmarrësisë dhe të industrisë prodhuese.
“Ne i shohim ndërmarrësit si parter kyç në hapjen e vendeve të reja të punës dhe në zhvillim ekonomik. Ndërmarrësit që duan të ngrenë kapacitetet dhe të rrisin punësimin do të mbështetet nga Fondi Zhvillimor. Në këtë bashkërendim të qeverisë tonë me ndërmarrësit, prodhuesit vendorë do të mbështeten veçanërisht në ngritjen e cilësisë, duke shtuar mundësitë për gjetjen e tregut dhe rritur eksportet”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Telegrafi.
Njëra nga pikat e kësaj marrëveshje është mbyllja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe shndërrimin e saj në një agjencie brenda qeverisë.
Krijimi i Fondit Sovran dhe atij Zhvillimor dhe fuqizimi i Fondit Garantues të Kredive, janë dy pikat kyçe të programit për ekonomi të marrëveshjes së kësaj qeverie.
“Fondi Sovran do t’i marrë në pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për t’i valorizuar ato, për të mundësuar investime të jashtme dhe qasje në tregjet e huaja të kapitalit. Do të themelojmë Fondin Zhvillimor, bazë e të cilit janë mjetet financiare të privatizimit dhe burime të tjera. Fondi do të synojë mbështetjen financiare të ideve inovative në vend. Do të fuqizojmë Fondin e Kosovës për Garanci Kreditore. Qëllimi i këtij Fondi është garantimi i kredisë, duke ulur kështu nevojën për kolateral për bizneset vendore”, thuhet në marrëveshje.
Qeveria e re në aspektin fiskal parashikon ndryshime në Ligjin për të Ardhura Personale dhe mbledhjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar brenda territorit të vendit.
“Partnerët e koalicionit dakordohen për ndryshime në Ligjin për të Ardhurat Personale në mënyrë që pragu i të ardhurave personale të patatueshme të rritet në mënyrë të konsiderueshme. Nëpërmjet bashkimit të ATK-së dhe Doganave në agjenci të vetme, Agjencinë e të Hyrave të Kosovës, do të kalojmë mbledhjen e TVSH-së nga kufiri në brendi të territorit”, thuhet në dokument, përcjell Telegrafi.
Po ashtu, në marrëveshje tregohet se do të rritet numri inspektorëve të punës me qëllim që të zbatohet programi “8 orë punë”.
“Nisur nga nevoja për një sektor privat që është gjenerator i zhvillimit ekonomik, që respekton të drejtat e punëtorëve, e që kërkon një fuqi punëtore të motivuar, do të promovojmë punën 8 orë në ditë – 40 orë në javë. Për të arritur këtë synim, ne do ta shtojmë numrin e inspektorëve të punës deri në 400”, shkruhet në marrëveshje.
Në marrëveshjen LVV-LDK që është nënshkruar gjatë ditës së diele, të dy këto subjekte do të udhëheqin me nga gjashtë ministri, nga të cilët katër prej tyre do të jenë për sektorët e ekonomisë.
Lëvizja Vetëvendosje për ministër të Financave dhe Transfereve, e ka emëruar Besnik Bislimin, ndërsa për ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdarin. Në anën tjetër, Lidhja Demokratike për ministër të Infrastrukturës dhe Ambientit e ka propozuar Lumir Abdixhikun, kurse për ministër të i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafën. /Telegrafi/