Telegrafi

“Prindërit e mi jetojnë jo shumë larg nga kufiri”: Ambasadorja e Ukrainës në Irlandë shfaqet e emocionuar në një intervistë

Rusia ka nisur një “sulm cinik në shkallë të plotë” ndaj Ukrainës, ka thënë ambasadorja e këtij vendi në Irlandë, Larysa Gerasko.

Gjatë një interviste për “Morning Ireland” të RTE, ajo tha se mendimet e saj janë me vendin e saj, prindërit dhe familjen e saj këtë mëngjes, përcjell Telegrafi.

Siç thekson The Guardian, Gerasko, mezi mbajti lotët këtë mëngjes duke i thënë RTE se “nuk mund të besojë se kjo po ndodh në shekullin 21”.

Lexo po ashtu Aeroporti Ivano-Frankivsk në Ukrainë goditet nga raketat ruse – pamje që pretendohet se tregojnë një gjë të tillë

“… Unë jam vërtet e tronditur. Prindërit e mi jetojnë 150 km nga kufiri verior modern i Ukrainës dhe ata janë të tronditur sigurisht”.

“Pra, është e vështirë të besohet se ka ndodhur në shekullin e 21-të”.

“Putini po teston Ukrainën dhe arkitekturën e sigurisë së të gjithë botës”, tha ajo.

Ambasadorja e Ukrainës në Irlandë, Larysa Gerasko

Ajo shtoi se si diplomate dëshiron të besojë në një zgjidhje paqësore dhe se presidenti rus Vladimir Putin do të ndalet dhe do të kthehet në negociatat në tryezë të rrumbullakët.

Lexo po ashtu Automjetet ushtarake ruse kanë hyrë në Ukrainë përmes Krimesë, sipas një videoje të publikuar nga Roja Kufitare e Ukrainës

Zonja Gerasko tha se i gjithë komuniteti ndërkombëtar “duhet të jetë shumë i zëshëm dhe shumë i fortë tani dhe ka hapa që komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë menjëherë për të ndaluar Rusinë”.

Ndryshe, në orët e para të 24 shkurtit, banorët e Kievit dhe qyteteve të tjera të Ukrainës u zgjuan nga tingujt e shpërthimeve të forta.

Shpërthimet filluan të raportohen rreth orës 05:00 pasi kreu i vendit agresor, Vladimir Putin, njoftoi fillimin e një operacioni special ushtarak në Donbas. /Telegrafi/