Shefi i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, ka ndarë një deklaratë audio përmes së cilës ka folur rreth rebelimit të fundit gjatë fundjavës në Rusi.
Në regjistrimin disa minutash, ai ka thënë se “E nisëm marshimin për shkak të një padrejtësie”.
Dhe ai pretendoi se vendimi për të kthyer marshimin drejt Moskës ishte sepse ai dhe luftëtarët e tij nuk donin të derdhnin gjakun rus, përcjell Telegrafi.
Madje, ai theksoi gjithashtu se qëllimi i tij nuk ishte të përmbyste qeverinë ruse.
“… Ishte e qartë se në këtë pikë do të derdhej shumë gjak, kështu që ne ndjemë se mjaftonte demonstrimi i asaj që do të bënim”.
“Dhe vendimi ynë për t’u kthyer mbrapa u ndikua nga dy faktorë më të rëndësishëm: Faktori i parë ishte se ne nuk donim të derdhnim gjakun rus. Faktori i dytë ishte se ne po shkonim në një demonstratë të protestës sonë, jo për të rrëzuar qeverinë në vend”.
Udhëheqësi Wagner përsëriti gjithashtu pretendimin e tij se trupat e tij u sulmuan nga ushtarë rusë, duke thënë se 30 njerëz vdiqën dhe më shumë u plagosën.
Prigozhin shtoi se presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko “i zgjati dorën dhe ofroi gjetjen e zgjidhjeve për funksionimin e mëtejshëm të Wagner në një juridiksion legjitim”.
Por ai nuk ka dhënë asnjë detaj se ku ka qenë dhe cilat janë planet e tij për të ardhmen. /Telegrafi/