Telegrafi

Presidenti i FIFA-s, Giovanni Infantino, kujton vizitën e tij në Kosovë të para një viti

Presidenti i FIFA-s, Giovanni Infantino përmes rrjetit social Instagram ka kujtuar vizitën e tij në Kosovë të para një viti.

I pari i futbollit në botë ishte në Kosovë dhe duket se ajo vizitë i kishte lënë mbresa të mëdha.

“Unë kam kujtime të mira nga vizita në shtetin që e do futbollin, Kosovën sot një vit më parë. Kishte shumë diskutime pozitive rreth një sërë temash me presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, kryeministrin Albin Kurti, presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe kryetarin e Prishtinës, Pëeparim Rama”, ka shkruar Infantino.

Në përditësimin e fundit nga FIFA në shtator të këtij viti, Kosova mban aktualisht pozitën e 111-të, teksa pozita më e lartë e regjistruar ndonjëherë mbetet pozita e 106-të.

Kosova u bë anëtari i 210-të i shtëpisë më të madhe të futbollit FIFA në vitin 2016, me 141 vota për dhe 23 vota kundër. /Telegrafi/