Telegrafi

Posterat me fotografinë e Vuçiqit në veri, policia hap rast për nxitje të urrejtjes

Postera me fotografinë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq janë vendosur të dielën në katër komunat në veri të Kosovës.

Të njëjtat janë vendosur në muret e ndërtesave, shtëpive, lokaleve dhe hapësira të tjera publike.

Përveç fotografisë së Vuçiqit në to shkruhet edhe mesazhi “Komandant Suprem, ju presim”.

Lidhur me këtë rast, është deklaruar edhe Policia e Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë për Telegrafin se është hapur rast “Nxitje e Urrejtjes”.

Lexo po ashtu "Komandant Suprem, ju presim" - në veri shfaqen posterë të Vuçiqit

“Në disa lokacione të katër komunave në veri të vendit janë shpërndarë pamflete me foton e Presidentit të Serbisë. Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit është hap rasti “Nxitje e Urrejtjes””, ka thënë Elshani.

Ai ka shtuar se deri më tani nuk kanë ndonjë person të dyshimtë.

“Nuk kemi persona të dyshimtë, policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit”, tha Elshani.

Kujtojmë se edhe më parë në katër komunat në veri janë shkruar grafitë të ndryshme si provokim për shqiptarët që jetojnë në atë pjesë. /Telegrafi/