Site icon Telegrafi

Polonia aktivizon aeroplanët ushtarakë pas sulmeve ruse pranë kufirit të saj me Ukrainën

Rusia ka nisur sulmet ajrore në rajonin perëndimor të Ukrainës, Lviv.

Dhe sulmi në Ukrainën perëndimore, me raketa që fluturonin afër Polonisë, i shtyu forcat e armatosura polake të “aktivizonin aeroplanët” për të garantuar sigurinë e hapësirës ajrore pranë kufirit të saj, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Forcat e armatosura të Polonisë thanë në X: “Komanda Operacionale e forcave të armatosura po vëzhgon sonte aktivitetet intensive të aviacionit me rreze të gjatë të Federatës Ruse, që kanë të bëjnë me sulmet ajrore dhe raketore ndaj objekteve të vendosura në territorin e Ukrainës”.

Lexo po ashtu Kievi sheh shpërthime të shumta, e gjithë Ukraina vihet në gatishmëri pasi Rusia nisi një valë tjetër sulmesh ajrore

“Të gjitha procedurat e nevojshme për të garantuar sigurinë e hapësirës ajrore polake janë nisur dhe DO RSZ po monitoron situatën në mënyrë të vazhdueshme”.

“Ne paralajmërojmë se aeroplanët polakë dhe aleatë janë aktivizuar, gjë që mund të rezultojë në rritje të niveleve të zhurmës, veçanërisht në pjesën juglindore të vendit”.

Ndryshe, kryetari i bashkisë së Lviv, Andriy Sadovyi tha në Telegram se nuk kishte sulme në qytet, por rreth 20 raketa dhe shtatë drone sulmuese synonin “infrastrukturën kritike” në rajonin më të gjerë të Lviv.

Lexo po ashtu Ukraina sulmon me raketa Sevastopolin e Krimesë së pushtuar? Pamje që tregojnë shpërthime dhe tymin që ngrihej në qytet

Ndërkohë, në Kiev, në qendër të Ukrainës, kryebashkiaku Vitali Klitschko tha se ka pasur disa shpërthime.

Forcat e mbrojtjes ajrore të Ukrainës shkatërruan rreth një duzinë raketash të lëshuara nga Rusia mbi Kiev dhe zonat përreth, sipas Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të Kievit.

Në këtë fazë nuk raportohet për viktima. /Telegrafi/

Exit mobile version