Një samit jozyrtar i Komunitetit Politik Evropian në Granada të Spanjës, përfundoi me dështim pasi udhëheqësit e gati 50 vendeve dhe zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian nuk arritën të bënin ndonjë përparim të rëndësishëm drejt zgjidhjes së konflikteve në pragun e Evropës dhe ishin të kota përpjekjet për të ulur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan portali i Brukselit “Politico”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, refuzoi të takohet me homologun e saj serb, Aleksandar Vuçiq, nëse nuk vendosen sanksione ndaj Beogradit për shkak të sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
“Ndjenja e kotësisë” së samitit joformal arriti kulmin kur Spanja, si mikpritëse, anuloi në minutën e fundit konferencën e planifikuar për shtyp, të cilën e prisnin rreth 700 gazetarë, shkruan portali i Brukselit.
Spanja, e cila mban presidencën e Bashkimit Evropian, nuk shpjegoi pse u anulua konferenca për shtyp, në të cilën ishte dashur t’i dorëzonte zyrtarisht Britanisë së Madhe udhëheqjen e Komunitetit Politik Evropian.
Mungesa e entuziazmit të liderëve për samitin ishte evidente që në mëngjes, kur shumë pjesëmarrës nuk ishin gati t’u drejtoheshin gazetarëve të shumtë që i prisnin.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni kaloi pranë gazetarëve duke folur në celular. As kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe as kryeministri britanik, Rishi Sunak, nuk iu drejtuan mediave.
Samiti i tretë i Komunitetit Politik Evropian, një platformë e krijuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, u cilësua si një mundësi e mirë për ndërmjetësim në mosmarrëveshjet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, për de-përshkallëzimin e tensioneve në Ballkan dhe për një diskutim strategjik mbi sigurinë evropiane.
Ndërkohë, udhëheqësit ishin të bashkuar në mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe presidentin Volodymyr Zelensky, por ata nuk arritën të bënin përparim kur ishte fjala për konfliktet e tjera.
Ata shpresonin se Granada do të realizonte takimin e parë midis presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe kryeministrit armen, Nikol Pashinyan, që kur Azerbajxhani nisi një ofensivë në Nagorno-Karabakh, e cila shkaktoi eksodin e më shumë se 100 mijë armenëve nga ai rajon i Azerbajxhanit.
Megjithatë, shpresat se do të ndërmerren hapa për t’i dhënë fund krizës humanitare në Nagorno-Karabakh u ‘shuan’ kur presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe udhëheqësi turk, Recep Tayyip Erdogan vendosën të mos merrnin pjesë në samit. Azerbajxhani akuzoi Francën për njëanshmëri në negociata dhe pranoi të bisedonte vetëm me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel.
Në fund të ditës, Macron u tha gazetarëve se së bashku me forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit kibernetik, bisedimet për Armeninë ishin prova se samiti ishte i dobishëm, edhe pse ato u mbajtën pa palën tjetër, Azerbajxhanin.
Ndryshe, 27 udhëheqësit e BE-së kanë miratuar një deklaratë të Granadës – por një seksion i planifikuar për migracionin është lënë jashtë dokumentit.
Charles Michel i Këshillit Evropian ka lëshuar një deklaratë të veçantë në emrin e tij që mbulon migrimin.
Kjo vjen pasi Polonia dhe Hungaria ngritën shqetësime rreth politikës së migracionit dhe refuzuan të nënshkruajnë dokumentin e para-negocuar.
Një nga paragrafët e kësaj deklarate i kushtohet edhe zgjerimit të Unionit.
Po ashtu, liderët u zotuan se do të shtojnë angazhimin me partnerë nga të gjitha rajonet e botës për të mbrojtur dhe përmirësuar rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla me Kombet e Bashkuara në thelb të tij, për të sjellë më shumë drejtësi në sistemin shumëpalësh dhe për të parandaluar fragmentimin e tij të mëtejshëm. /Telegrafi/