Telegrafi

Politico: 50 miliardë euro të BE-së për Ukrainën në thelb nuk janë asgjë

Pasi Këshilli Evropian miratoi përfundimisht një paketë ndihme prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën dhe pasi Kievi e mirëpriti këtë lëvizje, tashmë thuhet se kjo ndihmë nuk do të ketë një rëndësi të madhe për Ukrainën.

Politico analizoi ndihmën që do t’i jepet Kievit në afat të gjatë, dhe shpjegoi pse në fakt nuk do të përfaqësojë një injeksion të rëndësishëm financiar për Ukrainën, transmeton Telegrafi.

“Evropa mendoi se mund të mbështetej në SHBA për të dhënë një kontribut të rëndësishëm për të mbajtur Ukrainën gjallë. Megjithatë, paaftësia e presidentit Biden për të ‘shtyrë’ përmes Kongresit një paketë ndihme prej 60 miliardë dollarësh jo vetëm që e lë Ukrainën në baltë, por është gjithashtu një shenjë e asaj që çfarë mund të sjellë fitorja eventuale e Trump-it”, shpjegon Politico.

Ndërsa ndihma prej 50 miliardë eurosh e caktuar nga BE për Ukrainën përfaqëson një plan financiar afatgjatë në periudhën deri në vitin 2027, Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi se vetëm këtë vit Ukrainës i mungojnë 40 miliardë dollarë për të shlyer detyrimet ndërkombëtare.

“Për Kievin, një nga rreziqet më të mëdha është se mungesa e ndihmës ka të ngjarë ta shtyjë atë të printojë shuma të konsiderueshme parash të reja”, thuhet ndër tjera.

Shumë zyrtarë evropianë janë të vetëdijshëm për faktin se 50 miliardë euro nuk do të thotë shumë për Ukrainën.

“Të gjithë e kuptojnë se 50 miliardë euro nuk janë të mjaftueshme. Evropa e kupton se duhet të shtojë përpjekjet e saj. Me këtë dua të them gjetjen e mënyrave të reja financimi”, tha politikani belg Johan Van Overtveldt.

Sias vlerësimeve të Bankës Botërore, nevojat afatgjata të Ukrainës për rindërtimin arrijnë në 411 miliardë dollarë.

“Në Bruksel dhe në kryeqytetet e vendeve anëtare të BE-së, të menduarit po kthehet në mënyra alternative për të mbledhur para. Ekziston një mirëkuptim që në një moment Kievi do të duhet të mësojë të qëndrojë në këmbët e veta. Ukraina duhet të bëhet e vetë-qëndrueshme në të ardhmen, sepse nuk mund të vazhdojë gjysmën e buxhetit të saj përmes financimit të jashtëm”, tha Matteo Patrone, një zyrtar që punon për Ukrainën në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Deri më tani, Kievi është mbështetur në grante nga vendet perëndimore dhe grante për të mbuluar shpenzimet bazë sociale si pagat e nëpunësve civilë, punonjësve mjekësorë dhe arsimorë.

“Brukseli dhe Uashingtoni kanë qenë mbështetësit më të mëdhenj financiarë të Ukrainës. Fondet janë planifikuar gjithashtu për këtë vit, por shuma që BE do t’i japë Ukrainës deri në vitin 2027 mund të ulet çdo vit”, sipas Politico. /Telegrafi/