Policia ka realizuar sot një aksion në 21 lokacione në Mitrovicë Jugu, Mitrovicë Veri, Vushtrri, Skenderaj dhe Leposaviq, ku si rezultat i operacionin 16 persona u arrestuan.
Nga 16 të arrestuarit, 13 prej tyre me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.
Të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprave penale ‘detyrim’ si dhe ‘importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’.
Gjatë këtij aksioni policia sekuestroi 9 armë zjarri, 200 fishekë, municione të ndryshme, 15 telefona mobilë, 2 palë pranga, thikë, tyta të armës, fatrolla për armë dhe 1 DVR.
Policia ka shpërndarë pamje nga operacioni i realizuar në veri.
Në mesin e të arrestuarve që u është caktuar masa e ndalimit është edhe një zyrtar policor. Lajmin për Telegrafin e kanë konfirmuar nga Inspektorati Policor i Kosovës.
IPK ka bërë të ditur se ndaj të njëjtit është rekomanduar suspendimi.
“Në mesin e të arrestuarve që u është caktuar masa e ndalimit është edhe një zyrtar policor (i cili ka qenë me detyrë në Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut) i cili dyshohet për veprën penale e paraparë me nenin Neni 364 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”. Si pjesë e procedurave të natyrës administrative, IPK ka rekomanduar edhe suspendimin për zyrtarin policor të dyshuar dhe të arrestuar në këtë rast”, thuhet në përgjigjen e IPK-së. /Telegrafi/