Telegrafi

Policia: Nëntë gazetarë janë sulmuar në Leposaviq, disa kanë marrë tretman mjekësor

Foto ilustrim

Policia ka konfirmuar të premten se nëntë gazetarë të mediave të Kosovës janë sulmuar gjatë ditës në Leposaviq, të cilët kanë qenë me detyrë zyrtare duke raportuar për zhvillimet në këtë pjesë të vendit.

Sipas policisë, disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor.

Lexo po ashtu Gazetarët dhe kameramanët sulmohen fizikisht nga persona të maskuar në Leposaviq

“Sot me datën 16 qershor 2023, pranë komunës së Leposaviqit nga persona të dyshuar është sulmuar me mjete të ndryshme (ngjyrë), automjeti zyrtar i cili ishte në shoqërim të ministrit të Ministrisë për Administrim të Pushtetit Lokal të RKS-së, i cili ishte në dalje nga komuna e Leposaviqit pasi i njëjti ka qenë me detyrë zyrtare në komunë”, thuhet në komunikatën për media.

“Po ashtu, në afërsi të komunës së Leposaviqit nga individ/grupe kriminale është hedhur një mjet, dyshohet shok bombë, si dhe janë sulmuar fizikisht në mënyrë brutale disa gazetarë të mediumeve të ndryshme të Kosovës. Bazuar në informacionet e deritanishme bëhet fjalë për nëntë gazetarë të sulmuar të cilët kanë qenë me detyrë zyrtare duke përcjellë zhvillimet pranë komunës së Leposaviqit, ku disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor”.

Policia ka bërë të ditur se përveç sulmeve fizike dhe dhunës së ushtruar ndaj gazetarëve, atyre iu janë dëmtuar pajisje të ndryshme të xhirimeve, ku njërit prej tyre i është grabitur kamera zyrtare e mediumit, përderisa tjetrit i është grabitur një telefon celular.

Lexo po ashtu Pamje kur bandat kriminale serbe sulmojnë gazetarët në Leposaviq

“Pengimi i gazetarëve në kryerje të detyrës, cenimi i shprehjes së lirë, pengimi i pasqyrimit të situatës reale, sulmet e dhuna fizike, si dhe dëmtimi i automjeteve dhe i pajisjeve zyrtare janë veprime kriminale të cilat do të hetohen nga Policia e Kosovës. Në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, janë iniciuar rastet sulm ndaj personave zyrtar, asgjësim apo dëmtim i pronës dhe lëndim trupor”. /Telegrafi/