Telegrafi

Policia kap mbi 300 kg mjaltë me përmbajtje të dyshimtë

Policia njoftoi këtë të shtunë se në dy raste të ndara ka parandaluar futjen e mallrave të kontrabanduara në Republikën e Kosovës.

Sipas njoftimit, në rastin e parë njësia policore e taskë -orcës nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Lindje, rreth orës 13:00  në fshatin Komogllav në drejtim të fshatit Gërlic ka vërejtur duke qarkulluar në rrugë automjetin e dyshuar Opel Astra (me targa lokale).

“Gjatë kontrollit është vërejtur se kishte të ngarkuar mjaltë për të cilën nuk kishte asnjë dokument për origjinën dhe përmbajtjen e saj. Mjaltë me përbërje të dyshimtë dyshohet të jetë kontrabanduar nga Maqedonia e Veriut”, thuhet në njoftimin për media.

Në total kanë qenë 37 paketime me nga 12 kavanoza me peshë nga 720 gram.

Personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim, për të vazhduar me procedurat e mëtejme.

Ndërsa, në rastin e dytë po ashtu sot, zyrtarët policorë dhe doganorë në pikën e kalimit kufitar Dheu i Bardhë, pas dyshimit të shfaqur kanë ndërmarrë masa të nevojshme duke bërë profilizimin dhe kontrollin në vijën e dytë të një veture dhe si rezultat i kësaj është parandaluar një rast i futjes ilegale të mallrave me akcizë – pijeve alkoolike.

“Gjatë kontrollit në automjet janë gjetur artikuj: 60 litra alkool 40%, Zhollta, 14 litra alkool 38%, Ouzo Tsantali dhe 6 litra alkool 40%, Stomaklia”.

“Pas kryerjes së procedurave fillestare, rasti është proceduar nga Dogana e Kosovës. Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës do të vazhdojnë bashkëpunimin dhe koordinimin në luftimin dhe parandalimin e kontrabandës së mallrave”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/