Telegrafi

Policia jep detaje nga aksidenti i djeshëm në Rahovec ku humbën jetën tre persona

Tre persona, dy meshkuj dhe një femër kanë ndërruar jetë dhe tre të tjera kanë marrë lëndime të rënda trupore në një aksident trafiku i cili ka ndodhur në mes të dy mjeteve.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur të premten rreth orës 16:20 në fshatin Bërnjak, Rahovec.

Siç thuhet në raport, tre personat e lënduar rëndë janë duke u trajtuar në spital.

“Ka ndodhë një aksident trafiku në mes të dy automjeteve me ngasës meshkuj K/Shqiptar. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të vdekur tre persona dy meshkuj dhe një femër K/Shqiptare. Si dhe tre të tjerë kanë marr lëndime të rënda trupore të cilët janë duke u trajtuar në spital”, thuhet në raportin e policisë.

Ndërkaq, me urdhër të prokurorit trupat e pa jetë janë dërguar për Obduksion.

Policia thotë se bazuar në informacionet e para nga vendi i ngjarjes dyshohet se aksidenti i ndodhur në mes të dy automjeteve udhëtarësh ka ndodhur si pasojë e mos përshtatjes së shpejtësisë dhe tejkalimit në mënyrë të pa sigurt.

Policia e Kosovës në vazhdimësi apelon të kihet kujdes gjatë ngasjes në komunikacion.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP) ka shprehur shqetësimin lidhur me numrin e lartë të aksidenteve që po ndodhin në Kosovë.

Mbi 40 persona kanë gjetur vdekjen në rrugët e Kosovës për vetëm gjashtë muaj të vitit 2019 dhe kjo është shqetësuese sipas IKSHP.

Ata gjithashtu janë shprehur se shkaku më i shpeshtë i aksidenteve është faktori njeri, duke dhënë kështu disa rekomandime për kujdesin në komunikacion.

“Shkaqet janë të ndryshme, por sigurisht se faktori njeri është më i shpeshtë pasi që nuk janë duke u respektuar rregullat e përgjithshme në trafik, por duke mos munguar as faktori rrugë dhe automjet pasi në shumë vende mungojnë shenjat e komunikacionit dhe veturat e vjetra me mangësi të shumta teknike”, thuhet në reagim. /Telegrafi/