Telegrafi

Policia jep detaje për sulmin ndaj një ekipi me gazetarë në Zubin Potok

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me sulmin që ka ndodhur sot ndaj një ekipi me gazetarë të televizionit Klan Kosovës në fshatin Zupç të Zubin Potokut.

Sipas një njoftimi të Policisë, sulmi ndaj tyre dyshohet se është kryer nga disa persona të maskuar, të cilët me mjete të forta (gurë) kanë sulmuar automjetin e mediumit dhe gazetarët të cilët ishin në detyrë.

“Si pasojë e sulmit, vetura ka pësuar dëme materiale, përderisa dy nga personat/gazetarët e midiumit kanë pësuar lëndime dhe kanë kërkuar trajtim mjekësor.

Lidhur me rastin Policia e Kosovës, po kryen hetime me qëllim të zbardhjes së rastit dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës

Ndaj këtij sulmi ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.