Site icon Telegrafi

Mbi 160 mijë euro, 696 kilogramë mjaltë e 250 kilogramë fasule ia gjejnë në shtëpi – Policia arreston të dyshuarin në Ferizaj për kontrabandë e tregti të ndaluar

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Ferizaj për tregti të ndaluar dhe kontrabandë me mallra, ndërkaq gjatë kontrollit të shtëpisë së tij i janë gjetur mbi 160 mijë euro, pastaj franga zvicerane, dollar amerikan.

Të dyshuarit i janë gjetur edhe 696 kilogramë mjaltë pa prejardhje dhe 250 kilogramë fasule.

“Hetuesit policorë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion (NjRHKEK) Ferizaj, kanë trajtuar një informatë për një person të dyshuar. Personi, për policinë ka qenë edhe më parë i njohur për përfshirje në veprimtari penale.  Gjatë trajtimit të rastit, policia në koordinim me prokurorinë, kanë kryer kontrolle në shtëpinë e të dyshuarit B.M., (viti i lindjes 1990, mashkull kosovar).

Gjatë kontrollit të shtëpisë, policia ka gjetur:

161.485 euro (njëqind e gjashtëdhjetë e njëmijë e katërqind e tetëdhjetë e pesë euro),

2320 franga zvicerane (dymijë e treqind e njëzet franga zvicerane),

2300 dollar amerikan (dymijë e treqind dollar amerikan),

80.850 denar maqedonas (tetëdhjetëmijë e tetëqind e pesëdhjetë denar maqedonas),

696 kilogramë mjaltë (produkt i dyshimtë pa prejardhje),

250 kilogramë fasule (pa prejardhje)

Një pushkë e gjatë (pushkë ajrore)

Një revole,

Një veturë dhe

Një telefon.

Për rastin me mallin e kontrabandë (mjalti dhe fasulja), është ftuar për trajtim njësia e Doganës së Kosovës.

Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti, nën dyshim për përfshirje në veprat penale: ‘tregti e ndaluar’ dhe ‘kontrabanda e mallrave’.

Pas intervistimit në prezencë të avokatit mbrojtës, me aktvendim nga prokurori kompetent, i dyshuari dërgohet në ndalim prej 48 orësh. /Telegrafi/

Exit mobile version