Telegrafi

Rasti Karaçeva, vazhdon aksioni i Policisë së Kosovës

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka njoftuar se në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, zyrtarët e agjencive të zbatimit të ligjit nga Policia e Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës dhe agjencitë e tjera bashkëpunuese, janë duke ekzekutuar urdhërkontrolle në rajone të ndryshme të Kosovës.

Në njoftim thuhet se ky aksion është vazhdimësi e operacionit të zhvilluar më 18 shtator 2020, në zonën e Karaçevës dhe rajone tjera të Kosovës, për shkak të dyshimit të përfshirjes në veprimtari kriminale.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim dhe bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, do të ju mbajë të informuar lidhur me këtë operacion të përbashkët”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, më 18 shtator Policia ka realizuar një aksion masiv në fshatin Karaçevë të Kamenicës.

“Operacioni ka filluar si rezultat i një hetimi gati njëvjeçar të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm, trafikimin me njerëz, trafikimin me armë, trafikimin me narkotikë, kontrabandimin e mallrave dhe aktivitete tjera kriminale”, thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Lexo po ashtu Aksion i Policisë së Kosovës kundër kazinove dhe krimit të organizuar në Karaçevë

Policia kishte njoftuar se në lidhje me rastin janë arrestuar gjithsej 35 persona të dyshuar, në mesin e tyre 10 zyrtarë policorë, të cilët brenda afatit ligjor do të paraqiten para gjyqtarit të procedurës paraprake, janë sekuestruar aparate të lojërave të fatit, rreth 120 gjedhe, si dhe gjësende të ndryshme si prova materiale, që dyshohet të jenë përdorur në aktivitete kriminale./Telegrafi/