Telegrafi

Policia me detaje për vrasjen e 27 vjeçarit dhe plagosjen e dy të tjerëve në Mitrovicë

Një 27 vjeçar me inicialet V.F ka mbetur i vdekur si dhe dy të tjerë janë plagosur sot rreth orës 11:00 në rrugën “Adem Voca”, përkatësisht në Tregun e Gjelbër, në Mitrovicë.

Sipas një njoftimi nga Policia e Kosovës për rajonin e Mitrovicës, nga vendi i ngjarjes është kuptuar se në rast ishin përfshirë katër persona civil, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga i dyshuari mashkull kosovar, tre persona ishin plagosur të cilët me urgjencë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë.

Lexo po ashtu Në Spitalin e Mitrovicës tregojnë për gjendjen e të plagosurve në tregun e gjelbër

“Sot më, 17 prill 2021 rreth orës 11:30, policia në Mitrovicë, ka pranuar informatën për të shtëna  me arme zjarri në  rrugën ‘Adem Voca’ përkatësisht në Tregun e gjelbër’ në Mitrovicën e Jugut. Me të pranuar informacionin, në vendin e ngjarjes me urgjencë kanë dalë  të gjitha njësitet e nevojshme policore. Nga  informatat e para nga vendi i ngjarjes është kuptuar se në rast ishin përfshirë katër persona civil, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga i dyshuari mashkull kosovar, tre persona ishin plagosur të cilët me urgjencë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë. Ndërkohë nga autoritetet spitalore është raportuar se njëri nga të plagosurit, viktima V. F., 27 vjeçar, si pasojë e plagëve kishte vdekur, ndërsa dy të plagosurit tjerë vazhdojnë të jenë në tretman mjekësor”, thuhet në njoftim.

Lexo po ashtu Një i vrarë dhe dy të plagosur me armë zjarri në Mitrovicë

Ndërkaq, sipas njoftimit personi i cili dyshohet të ketë shtënë me armë është arrestuar, të njëjtit po ashtu i është ofruar tretmani mjekësor.

“Nga  hetimet e zhvilluara deri më tani, njëri nga të lënduarit ka marrë plagë  aksidentalisht. Ndërsa në  vendin e ngjarjes pas  ekzaminimeve të kryera, hetuesit policorë si prova materiale kanë gjetur dhe sekuestruar një armë (pistoletë),  tri (3) gëzhoja dhe dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin. Ndaj te dyshuarit Sh. A., 35 vjeçar, me vendim te prokurorit i është caktuar masa e ndalimit policor. Rrjedha hetimore është duke vazhduar në drejtim  zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale: vrasje  e rëndë. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës. /Telegarfi/