Telegrafi

Pogba i shtyn bisedimet me PSG-në, në pritje të Juventusit

Paul Pogba thuhet se ka marrë një ofertë nga Paris Saint-Germain, por francezi i ka pezulluar negociatat, duke pritur një telefonatë nga ish-klubi i tij, Juventusi.

Francezi është në muajti e fundit të kontratës së tij me Manchester Unitedin dhe deri më tani nuk ka arritur marrëveshje rinovimi, duke lënë opsion të vetëm largimin.

Sipas mediumeve Manchester Evening News dhe Tuttosport, Paris Saint-Germain kanë bërë lëvizjen e tyre për ta nënshkruar Pogban si lojtar të lirë në verë.

Pogba thuhet se është tunduar nga oferta e gjigantit të Ligue 1, por sipas gazetës me bazë në Torino, ai është në pritje të një telefonate nga Italia.

Mesfushori qendror dëshiron të kthehet në Juventus, por Zonja e Vjetër ende nuk ka bërë një ofertë zyrtare. Bardhezinjtë do të ndahen me Paulo Dybalan në fund të kontratës së tij në qershor dhe po shqyrtojnë një ofertë për 29-vjeçarin që do të zëvendësonte ‘La Joya’-n në Torino.

Massimiliano Allegri do të ishte i lumtur të ribashkohej me ish-mesfushorin e tij, por klubi duhet të marrë parasysh moshën e tij dhe vështirësitë e tij të fundit me lëndimet.

 

Kërkesat për pagë të Pogbas mund të shkojnë kundër nevojës së Juventusit për të ulur faturën e pagave dhe për ta bërë ekipin më të qëndrueshëm.

Ata janë të vetëdijshëm për dëshirën e mesfushorit për t’u rikthyer në Torino, por për momentin nuk kanë bërë ende lëvizjen e tyre. /Telegrafi/