Telegrafi

Podujevë, arrestohen katër persona për trafikim të drogës

Policia e Kosovës ka njoftuar se në dy fshatra të Podujevës sot janë arrestuar katër persona, që po kërkoheshin nga policia për trafikim të drogës.

Në njoftimin e policisë thuhet se hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN), gjatë muajit mars dhe korrik 2021, kishin realizuar operacione policor kundër trafikimit me narkotik.

“Si rezultat i operacioneve ishin konfiskuar mbi 60 kg marihuanë. Nga ajo kohë, të kërkuar nga policia nën dyshimin e përfshirjes në trafikim me narkotik ishin disa të dyshuar”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

“Sot, më 03.03.2022, hetuesit nga DHTN-ja, kanë zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke realizuar kontrolle në tri lokacione. Lokacionet ku janë kryer kontrolle janë dy në fshatin Dobratin dhe një në fshatin Dobërdol të Podujevës”.

Policia thotë se gjatë operacionit të sotëm ka arritur t’i gjejë dhe arrestojë katër të dyshuar për përfshirje në veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge”.

“Personat e arrestuar janë: A.M., (1989), M.R., (1992), A.M. (1996) dhe M.A.(1991). Të arrestuarit, pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë”, njofton Policia. /Telegrafi/