Mauricio Pochettino ka bërë konferencën e parë për shtyp si trajner i ri i Chelseat dhe aty është pyetur për një transferim të mundshëm te Harry Kane nga Tottenham Hotspur.
Trajneri argjentinas ka marrë drejtimin e klubit londinez duke pasuar Frank Lampard, i cili ishte trajner i përkohshëm.
Me ardhjen e Pochettinos kanë filluar edhe ndryshimet e mëdha, pasi tashmë janë larguar shumë lojtarë që kanë mbajtur barrën e viteve të fundit.
Megjithatë, Blutë kanë bërë disa transferime dhe synojnë edhe disa tjera para nisjes së sezonit, ndërsa njëri nga emrat e përfolur është edhe Kane, i cili është një njohje e vjetër e Pochettinos.
“Do të shohim. Ne duhet të jemi gati të veprojmë, nëse na duhen më shumë apo jo”, ka thënë fillimisht argjentinasi kur u pyet për blerjen e një sulmuesi të ri.
“Ose ndoshta shkojmë në parasezon dhe e kuptojmë se duhet të përmirësohemi në pozicione të ndryshme ose të shtojmë më shumë lojtarë që mund të shënojnë”.
“Kane? Nuk më pëlqen të flas për lojtarët e një klubi tjetër, por ju po flisni për një nga sulmuesit më të mëdhenj në botë”.
“Nuk është e drejtë të flasësh, por nuk është e drejtë të mos thuash asgjë. Marrëdhënia ime me Harryn ka qenë gjithmonë e mrekullueshme”, përfundoi Pochettino. /Telegrafi/