Telegrafi

Po interesohen klubet më të mëdha angleze, Dortmundi gati t’ia dyfishojë pagën Bellinghamit

Jude Bellingham është njëri nga mesfushorët më të talentuar në Evropë.

Borussia Dortmund kishte fituar garën me skuadrat e mëdha, kur e transferoi anglezin e ri në vitin 2020 për 23 milionë euro nga Biringham City.

Tani vlera e lojtarit është katërfishuar dhe interesimi nga skuadrat e mëdha bëhet çdo ditë e më i madh.

Duke marrë parasysh që ekipet si Liverpool, Arsenal, Chelsea, Manchester City e Manchester United janë vënë pas tij, Dortmund po kërkon ta blindojë yllin e saj.

18-vjeçari ka kontratë me verdhezinjtë deri në verën e vitit 2025, por BVB ka hapur negociatat për vazhdimin e saj edhe për dy vite të tjera.

Dortmund synon t’ia vazhdojë kontratën yllit të ri anglez i cili do të fitojë edhe pagë më të lartë. Aktualisht Bellingham fiton rreth tre milionë euro në sezon, por me kontratën e re paga e tij pritet të shkojë në gjashtë milionë euro.

Klubi gjerman synon që të vazhdojë bashkëpunimin me Bellingham para verës, në mënyrë që ta shmang rrezikun për largimin e tij.

Gjithsesi vlera aktuale e talentit të madh anglez në tregun e transferimeve shkon në rreth 100 milionë euro, shumë që nuk përbën problem për skuadrat angleze që janë interesuar për të.

Reprezentuesi anglez këtë edicion ka zhvilluar 28 ndeshje në të gjitha garat, ku ka shënuar katër gola e ka asistuar në 10 të tjerë. /Telegrafi/