Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen sot do të qëndroj për vizitë në Kosovë.
Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi të lëshuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Më tej theksohet se ky do të jetë një rast për të diskutuar bashkëpunimin dypalësh dhe veçanërisht për t’u prezantuar më në detaje udhëheqësve rajonalë Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Gjatë vizitës së saj në Prishtinë, Von der Leyen do të ketë takim me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Takimi me presidenten Osmani do të nis në orën 13:15, dhe pas përfundimit të tij do të ketë edhe konferencë për media.
Ndërkaq takimi me kryeministrin Kurti do të mbahet rreth orës 14:40, është bërë e ditur në njoftimin për media nga Zyra e Kryeministrit.
Kujtojmë se Von der Leyen ka nisur dje vizitën e saj katërditore në Ballkanin Perëndimor, ku ka qëndruar në Maqedoninë e Veriut.
Pas përfundimit të vizitës në Kosovë, ajo do të vizitoj edhe Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën.
Vizita vjen pas takimeve që Von der Leyen pati në Shqipëri në fillim të këtij muaji, në datat 15-16 tetor, ku mori pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit. /Telegrafi/