Site icon Telegrafi

Plagoset me thikë zyrtari i Policisë së Kosovës në Pejë

Një zyrtar i Policisë së Kosovës, me gradë kapiten, është plagosur nga një sulm me thikë ndaj tij, që ka ndodhur sot rreth mesditës, në hyrje të Stacionit të Policisë Rajonale në Pejë.

Kapiteni Ragip Bytyqi ka marrë lëndime trupore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë. Ndërsa, sulmuesi që është person me probleme mendore, është arrestuar menjëherë.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëvendësdrejtori i Policisë Rajonale të Pejës, Veton Elshani, i cili tha se ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 12:00

“Ngjarja cilësohet si vrasje në tentativë. Kjo ngjarje ka ndodhur sot rreth orës 12:00. Sulmuesi ka pasur probleme mendore, sepse me herët ka qenë në Stacion Policor pasi që qytetarët e kanë lajmëruar si person të dyshimtë. Më pas Policia e ka dërguar tek psikiatri, sepse ai kishte të meta mendore. Pas ekzaminimit tek psikiatri Policia e ka dërguar të dyshuarin tek një i afërm i tij. Pasi zyrtarët policorë janë kthyer, ai ka ikur nga i afërmi dhe ka dalë prapë në rrugë, ku ka hasur kapitenin Bytyqi, të cilin e ka sulmuar me thikë në pjesën e abdomenit. Kapiteni është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa sulmuesi është arrestuar”, ka thënë Elshani. /Telegrafi/

Exit mobile version