Telegrafi

Pjesëtarët e Wagnerit rus kanë filluar të tërhiqen nga qyteti i Bakhmutit

Luftëtarët e grupit mercenar rus Wagner kanë filluar të tërhiqen nga Bakhmuti në lindje të Ukrainës.

Kështu të paktën pretendon kreu i këtij grupi famëkeq Yevgeny Prigozhin, i cili postoi një video në Telegram.

Ky grup edhe më herët pati paralajmëruar se do të largohen nga qyteti ukrainas dhe se do t’ua tregojnë ukrainasve vendndodhjen e ushtrisë së rregullt ruse.

Lexo po ashtu Sulmi i ri rus me dron në Kiev, mbrojtja kundërajrore ukrainase i neutralizon të gjitha fluturaket pa pilot

Të gjitha këto deklarata i pati bërë si hakmarrje ndaj ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, të cilin e akuzon për mosdërgimin e municioneve dhe armëve luftëtarëve të Wagnerit.

Në videon e fundit, Prigozhin shihet duke qëndruar pranë tankut duke ia shtrënguar duart një grupi të ushtarëve.

Kujtojmë që beteja për Bakhmutin po vazhdon, kurse Kremlini javën e kaluar pretendonte se kanë marrë kontrollin e plotë mbi këtë qytet, por Kievi e mohoi kategorikisht duke thënë se ushtarët e tyre gjenden akoma atje.

Lexo po ashtu Zelensky: Aeroplanët e parë luftarak F-16 që do t’i jepen Ukrainës, do të jetë sinjal që Rusia ka humbur

Analisti ushtarak Sean Bell thotë se Kievi duhet ta shfrytëzojë potencialin ushtarak që e ka, duke rrethuar qytetin tani që rusët po fillojnë të tërhiqen.

“Një lëvizje e tillë do t’i linte shumë pak opsione rusëve – me një infrastrukturë të kufizuar dhe pa mbështetje të forcave tjera që gjenden jashtë këtij qyteti”, shtoi Bell. /Telegrafi/