Milani është nikoqir i Interit në kuadër të xhiros së pestë në Serie A.
Në San Siro dy skuadrat e qytetit do të diskutojnë fituesin, ku Rossonerët në këtë takim vijnë pas një barazimi ndaj Sassuolos derisa Interi pas fitores me Cremonesen.
Por para se të flas për ndeshjen me Interin, trajneri Stefano Pioli është ndalur për të folur për emrat e rinj që kanë ardhur te kuqezinjtë.
Rossonerët kanë transferuar Sergino Dest nga Barcelona dhe Vrancky nga Wolfsburg në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës.
“Objektivi ynë që të investojmë te të rinjtë me perspektivë, është ky vizioni i klubit. E kemi ruajtur këtë linjë, por në të njëjtën kohë ishte e rëndësishme që të konfirmonim një grup të rëndësishëm lojtarësh që kanë mundësi përmirësimi”.
“Dest ka cilësi dhe shpejtësi. E morëm për të luajtur në krah, por mund të jetë i dobishëm edhe në zona të tjera të fushës. Vranckx është një mesfushor i kompletuar, një djalë interesant”, tha Pioli që vazhdoi të flas për duelin me Interin.
Tutje trajneri italian ka thënë se do të jetë një kampionat i balancuar me shumë skuadra në garë për titullin e kampionit.
“Po punojmë për identitetin e kësaj skuadre, kemi idetë tona dhe dëshirën për ti çuar para. Në ndeshje si kjo e nesërmja rëndësi ka si luan dhe jo si vjen në prag të sfidës. Vazhdoj të mendoj që kampionati do të jetë i balancuar, pasi ka shumë skuadra që mund të fitojnë titullin”.
“Është e mundur që Interi të luajë me lojtarët e vitit të kaluar, meqë është dëmtuar Lukaku. Edhe ne pak a shumë do të jemi të njëjtët, njihemi mirë. Pres një ndeshje të luftuar, plot me duele, derbi është derbi”, është shprehur Pioli. /Telegrafi/