Telegrafi

Pioli flet për Derby della Madonninan ndaj Interit, konfirmon mungesat e Ibrahimovicit dhe Rebicit

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli konfirmon se sulmuesit Zlatan Ibrahimovic dhe Ante Rebic do të mungojnë në derbin e nesërm (e shtunë) ndaj Interit, ndërsa në dispozicion do të jetë mbrojtësi Fikayo Tomori.

Interi dhe Milani do të ndeshen mes vete në ndeshjen e njohur si Derby della Madonnina, e cila është e vlefshme për javën e 24-të në Serie A dhe zhvillohet nga ora 18:00 në stadiumin Giuseppe Meazza.

Për këtë ndeshje ka folur në konferencë për shtyp trajneri i Rossonerëve, Pioli, i cili ka treguar se ekipi i tij do t’i ketë dy mungesa të mëdha, por edhe një rikthim për këtë derbi ndaj Interit.

Lexo po ashtu Derby della Madonnina, Interi dukshëm më i mirë se Milani në 10 ndeshjet e fundit mes vete në Serie A

“Duhet të kemi parasysh edhe karakteristikat e kundërshtarëve, është e rëndësishme. Nuk do të shtrembërojmë kurrë mënyrën tonë të lojës dhe e nesërmja nuk bën përjashtim”, ka thënë fillimisht Pioli në konferencë për shtyp.

“Ne po luftojmë atje lart, qoftë për titullin apo Ligën e Kampionëve, ne jemi sërish konkurrues”.

“Kemi bërë një lojë të shkëlqyer kundër Juventusit, por na ka munguar cilësia në pjesën e sulmit. Kjo është ajo që na duhet nesër. Ndeshja e nesërme është vendimtare dhe ne duam ta fitojmë”.

Ibrahimovic dhe Rebic, dy mungesat e mëdha të Milanit

“As Zlatan Ibrahimovic dhe as Ante Rebic nuk do të jenë në dispozicion, Tomori bëri një punë të madhe dhe unë mendoj se ai do të jetë i disponueshëm, edhe pse mund të mos startojë”.

“Na vjen keq që Ibra nuk do të jetë atje. Ne jemi përmirësuar shumë falë tij, por tani duhet të tregohemi të fortë edhe pa të. Duhet të kemi forcën e vullnetit, veçanërisht në momente të vështira”, përfundoi trajneri i Milanit. /Telegrafi/