Telegrafi

Pioli akoma nuk ka vendosur se kush do të luajë në vend të Ibras, Giroud apo Rebic

(Foto: Instagram/iamzlatanibrahimovic)

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, ka konfirmuar se Zlatan Ibrahimovic nuk do të luajë ndaj Liverpoolit të mërkurën, mirëpo akoma nuk ka vendosur se cili do ta zëvendësojë suedezin, Olivier Giroud apo Ante Rebic.

Rossonerët kanë rikthyer në Ligën e Kampionëve, ndërsa janë në të njëjtin grup me Redsat, Atletico Madridin dhe Porton.

Në ndeshjen e parë të fazës grupore, klubi italian do të luajë në Anfield, mirëpo nuk do ta ketë në dispozicion sulmuesin veteran, Ibrahimovic, i cili ka një problem me tetivën e Akilit.

“Para së gjithash, Zlatan do të ishte startues, ai u përpoq, por ishte në dhimbje. Nuk ia vlen të rrezikohet, kemi shumë ndeshje të tjera pas të nesërmes”.

“E mendoj Milanin me Zlatanin, këtë e duam të gjithë. Kemi shumë zgjidhje valide; këto defekte të përnjëhershme janë pjesë e futbollit, por të gjithë jemi të përgatitur”.

“Do të vendos ndërmjet (Ante) Rebic dhe (Olivier) Giroud, por jemi të mbuluar. Më vjen keq për Zlatanin, do ta shohim së shpejti”, ka deklaruar Pioli në konferencën për shtyp. /Telegrafi/