Site icon Telegrafi

Pikniku i guximshëm që ndihmoi në çlirimin e Evropës nga zgjedha sovjetike

19 gusht 1989: Gjermanolindorët befasojnë rojet kufitare hungareze dhe nxitojnë për të kaluar në Austri (foto: Votava/AP)

Nga: Katja Hoyer / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

“Q… shekullin XX”, ishte slogani prapa rok-grupit hungarez Beatrice. Një veturë Trabant e Gjermanisë Lindore varej mbi skenë. Ishte gushti i vitit 2019 dhe grupi Beatrice – që ishte kritikë e zëshme kundër komunizmit gjatë Luftës së Ftohtë – po e jepte një koncert për ta shënuar ngjarjen që ndihmoi në çlirimin e Evropës Lindore nga zgjedha sovjetike: Piknikun Pan-Evropian.

Tridhjetë vjet më parë, më 19 gusht 1989, diçka e jashtëzakonshme kishte ndodhur. Perdja e Hekurt u hoq gjatë disa orëve monumentale – në një piknik të mbajtur nga reformatorët hungarezë në kufirin Austri-Hungari. Mes muzikës, birrës dhe gullashit, qindra vetë dolën në Perëndim, teksa era e ndryshimit po frynte në Lindje. Kur sovjetikët nuk reaguan, disa javë më vonë Hungaria i hapi kufijtë e vet – përgjithmonë. Më 9 nëntor ra Muri i Berlinit dhe bashkë me të edhe shtylla e fundit që mbështeti komunizmin evropian.

Derisa janë bërë emblematike ngjarjet në Berlin në vjeshtën e vitit 1989, Pikniku Pan-Evropian është më pak i njohur – por, Pikniku [The Picnic] i Matthew Longos tenton ta ndryshojë këtë. Si asistent-profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Leidenit, magjepsja e Longos me Perden e Hekurt është si ndarje e sistemeve. Libri i tij i mëparshëm, Politika e kufijve [The Politics of Borders, 2018,] argumentoi se kufijtë vetvetiu “janë institucione politike” dhe se kanë pasoja të mëdha, ndaj ku ka temë më të mirë për ta vërtetuar çështjen sesa rënia e atij që ndau botën në pjesën më të madhe të shekullit XX?

Ende është i diskutueshëm roli që luajti Pikniku Pan-Evropian në rënien e Perdes së Hekurt. Është fakt se gati 700 gjermano-lindorë u arratisën në Gjermaninë Perëndimore nëpërmjet Austrisë – eksodi më i madh që nga ngritja e Murit të Berlinit në vitin 1961. Fletëpalosjet i kishin informuar ata për një demonstratë paqësore në Hungari, në të cilën kufiri i saj me Austrinë do të hapej simbolikisht për tri orë. Shumëkush e kuptoi aludimin dhe u futën në Hungari me viza pushimi.

Është gjithashtu fakt se ngjarja nuk ishte spontane. Ideja për ta lejuar kalimin e një grupi të madh të njerëzve erdhi pjesërisht nga Otto von Habsburgu, nga princi i fundit i kurorës së Perandorisë së vdekur Austro-Hungareze, së bashku me reformatorët hungarezë dhe grupet opozitare. U sanksionua nga kryeministri Miklós Németh, i cili tashmë kishte filluar të zbuste kontrollet e sigurisë në kufi. Gazetarët qëndruan gati për të bërë fotografi. Pikniku ishte provë: si do të reagojë Bashkimi Sovjetik? Kur Moska nuk bëri asgjë, kjo e përshpejtoi rrugën drejt reformave.

Longo e mbulon piknikun në nivel sipërfaqësor, duke evokuar në detaje ngjarjet më dramatike: “Një bandë e frymorëve shpërtheu nëpër fushë. Gullashi i gatuar në tenxheret gjigante mbi flakën e hapur; birrat dhe verërat ishin aty për t’u konsumuar. Njerëzit vallëzuan rreth zjarrit … ‘Për të gjithë miqtë tanë në Evropë!’ – bërtiti Ferenci [Mészáros, një nga organizatorët]. ‘E vetmja mundësi për paqen në mbarë botën … është prishja e telave me gjemba dhe e barrierave kulturore’”.

Duke udhëtuar në Gjermani dhe në Hungari për katër vjet, Longo kreu intervista me gjermano-lindorët e zakonshëm që u larguan më 19 gusht 1989, ndërsa foli me shumë nga figurat kryesore në Hungari që u përfshinë në organizimin e piknikut. Anekdotat dhe përshtypjet nga këto takime janë ndërthurur përmes rrëfimit historik, duke ofruar pasqyrën se sa shumë rëndësi ka sot kjo histori.

Németh, kryeministri i fundit komunist i Hungarisë, dukej “i mërzitur” kur autori atë e takoi në vitin 2019. Një njeri me “integritet dhe qetësi”, Némethi refuzoi të merrte pjesë në 30-vjetorin e Piknikut sepse paneli i tij titullohej “Zhvillimi dhe kolapsi”. Për të, asnjë nga termat nuk përfshinte gjithë punën që ai kishte bërë për të mundësuar ndryshimet paqësore në Hungari. Sipas tij, nuk kishte asnjë “zhvillim”, pasi qeveria e tij e kishte lejuar hapjen e kufijve, dhe nuk kishte “kolaps” aksidental të komunizmit në Hungari, por shpërbërje të kujdesshme nën udhëheqjen e tij.

Dy akterët e tjerë të vitit 1989, megjithatë u shfaqën në përvjetorin e vitit 2019, të dy si udhëheqës të vendeve që ishin në tranzicion të shpejtë dikur: Angela Merkel dhe Viktor Orbán. Merkel ishte në Berlin kur ra Muri dhe menjëherë filloi një karrierë në ngritje që do ta çonte në krye të politikës gjermane. Orbáni ishte 26-vjeçar kur premtoi të “varroste komunizmin” – në një fjalim të mbajtur në vitin 1989 për rehabilitimin dhe rivarrimin e ish-kryeministrit Imre Nagy, i cili u ekzekutua për udhëheqjen e Revolucionit Hungarez të vitit 1956. Në përvjetorin e Piknikut, Orbáni foli për sovranitetin kombëtar, ndërsa Merkeli foli për refugjatët. “Politika: si gjithmonë”, përfundon Longo.

Si politolog, Longo nuk është plotësisht imun ndaj politizimit të vetë historisë, por është jashtëzakonisht i sinqertë për këtë. Lexuesit njihen me pikëpamjet e autorit për kufijtë sot. Politikat e Orbánit për ta reduktuar emigracionin e paligjshëm në Evropë, për shembull në vazhdën e krizës së refugjatëve të vitit 2015, përshkruhen si kthesë “që shkakton goditje kamxhiku”: “Hungaria, vendi që shkatërroi muret, tani po i ndërton ato”.

Teksa herë pas here nuanca sakrifikohet në altarin e efektit narrativ, zinxhiri i ngjarjeve të vitit 1989 dhe konteksti historik theksohen qartë. Rrëfimi është i mbushur me komentet dhe anekdotat e Longos nga udhëtimet, duke e bërë Piknikun një rrëfim thellësisht personal të një momenti magjepsës historik të historisë së Luftës së Ftohtë. /Telegrafi/

Exit mobile version