Luis Suarez do të mbush 32 vjet në muajin janar dhe Barcelona ka filluar të mendoj rreth zëvendësuesit së tij për të ardhmen.
Sulmuesi uruguaian ka thënë para disa ditësh se është normale që Barcelona të kërkojë një sulmues të ri, marrë parasysh moshën e tij.
Që nga arritja e tij në Camp nou në vitin 2014, ai ka shënuar 158 gola në 211 ndeshje zyrtare, ku të fundit janë tri golat në El Clasico ndaj Real Madridit.
Sipas asaj që konfirmon gazeta spanjolle Marca, sulmuesi i Genoas, Krzysztof Piatek, i cili ka shënuar 13 gola në 11 ndeshjet e para të Serie A është opsioni i parë i Barçës.
Çmimi i tij ende thuhet se nuk ka arritur majat dhe drejtuesit e Barcelonës tashmë kanë angazhuar skautë për të ndjekur progresin e polakut.
Paco Alcacer është në huazim te Borussia Dortmund, të cilët janë të etur për të përmbushur opsionin e blerjes prej 23 milionë eurosh.
Ish-sulmuesi i Valencias është në pronësi të Barcelonës dhe nëse Blaugranët i premtojnë atij më shumë kohë, ai mund të kthehet në Camp Nou sezonin e ardhshëm.
Një tjetër emër që është dëgjuar gjatë javëve të fundit është ai i Nicolas Pepe, i cili ka shënuar shtatë gola dhe ka dhënë shtatë asistime për Lille deri më tani këtë sezon.
23-vjeçari gjithashtu mund të luajë edhe në krah dhe ai përfundoi sezonin e tij të fundit me 13 gola.
Së fundi, ekzistojnë edhe dy alternativa më pak reale si Timo Werner dhe Lautaro Martinez.
I pari është në pronësi të RB Leipzig, të cilët kurrë nuk kanë pasur nevojë për para shtesë, ndërsa i fundit ka arritur vetëm këtë sezon në Inter, pas një sezoni të madh në Racing Avellaneda me 22 gola në 44 ndeshje. /Telegrafi/