Barcelona është treguar skuadër e fortë për Juventusin në përballjen e tyre të parë në fazën grupore të Ligës së Kampionëve që u zhvillua në Allianz Stadium.
Blaugranët fituan me rezultat 2-0 me golat e Ousmane Dembele dhe Lionel Messi, ndërsa The Independent ka bërë një listë me pesë gjërat që i mësuam nga kjo sfidë.
Dembele është shpresa e re
Pohimi se Lionel Messi është i rrethuar nga lojtarë mesatarë, nuk është e vërtetë. Miralem Pjanic, Antoine Griezmann e Philippe Coutinho, janë lojtarë të nivelit të lartë, mirëpo me raste u mungon ‘ritmi eksploziv’ që mund ta ofrojë Ousmane Dembele. Të nxjerrësh maksimumin nga francezi është shumë vështirë, por ai ishte mbresëlënës në Torino me kthesa të mprehta dhe vrapime direkte, ndërsa duhet lavdëruar për golin e parë. Performanca e tij ndaj Bianconerëve është një shpresë që klubi duhet të mendojë për shfrytëzimin më të mirë të 23-vjeçarit.
Pirlo është akoma në kërkim të identitetit
Të gjithë e dimë qartazi se çfarë lojtari ishte Andrea Pirlo, mirëpo akoma nuk e kemi definuar se çfarë trajneri do të jetë. Sistemi 3-4-3 e la Paulo Dybalan duke luajtur në krah të treshes sulmuese, derisa Dejan Kulusevski ishte shumë prapa. Mungesa e mesfushorëve i detyronte mbrojtësit të bënin ndërhyrje më të avancuara dhe kjo rezultoi me përjashtimin e Mireh Demaril me dy kartonë të verdhë. Mungesa e kontrollimit të mesfushës – një imazh që e kishte Pirlo si futbollist – ndikoi që Juve të mos kishte edhe kontrollin e lojës. Është akoma herët, mirëpo ish-mjeshtri i mesfushës duhet të punojë shumë që ta përcaktojë identitetin e lojës së tij.
Kthimi i Moratas, shkëndija e ndritshme e Juves
Pika më e pozitive në skuadrën e Pirlos ishte paraqitja e Alvaro Moratas, i cili dukej i rrezikshëm në zonë, megjithëse i pafat, pasi iu anuluan tre gola për pozitë jashtë loje. Për më shumë, ai ishte mjaft i angazhuar për t’i ndihmuar skuadrës edhe në fazën mbrojtëse. Mbetet të shihet nëse spanjolli do të arrijë të ndërtojë një partneritet të frytshëm me Cristiano Ronaldon në fazën e sulmit apo nëse rikthimi i CR7 do ta zbehë rolin e tij.
Alba-Messi, dyshja është ende në të njëjtën valë
Dy emrat e vjetër të Barcelonës, Jordi Alba dhe Lionel Messi, vazhdojnë të paraqesin një partneritet të rrezikshëm për skuadrat kundërshtare, megjithëse vitet po kalojnë. Qarkullimi i topit përmes mesfushës, krahëve, harkimet në zonë dhe bashkëpunimi me sulmuesit, ishte një tregues i organizmit të duhur të lojës mes emrave të njohur të katalunasve. Edhe pse një lojë e tillë është e pritshme dhe e parashikueshme – vazhdon të mbetet sfidë ta ndalësh Barcën dhe Messin kur luajnë në atë nivel.
Vërehej dukshëm mungesa e Ronaldos
Padyshim se në këtë takim mungoi ajo skajshmëria e lojës që sjell një duel i drejtpërdrejtë Ronaldo-Messi. Megjithatë, Juventusit i mungoi qartazi sulmuesi efektiv që i finalizon rastet dhe ai është CR7. Sa u përket dashamirëve të futbollit, ata do ta kenë mundësinë që ta shohin ringjalljen e rivalitetit mes dy superyjeve të këtij sporti në muajin dhjetor në Camp Nou.
/Telegrafi/