E ardhmja e Gianluigi Buffonit do të vendoset në fund të sezonit aktual, ndërsa raportohet se portieri i Juventusi ka pesë opsione të mundshme.
Gardiani legjendar, i cili i ka mbushur 43 vjet, ka njoftuar së fundmi se ka hapur një akademi futbolli për portierët e rinj.
Sipas Tuttosport, veterani do ta ketë të vështirë të qëndrojë në Allianz Stadium, mirëpo ai nuk e ka në plan të pensionohet akoma.
Buffon është i vendosur të jetë portieri kryesor për kundër moshës së tij, ndërsa paraqitjet me Zonjën e Vjetër këtë sezon, kanë dëshmuar se ai është akoma në krye të detyrës.
Gazeta torineze njofton se pesë klube janë të gatshme t’ia ofrojnë italianit mundësinë që të zhvillojë një tjetër sezon në nivel të lartë.
Olympiacos, Eintracht Frankfurt, Sporting Lisbon, Galatasaray dhe Dynamo Kiev janë të gatshëm t’i bëjnë ofertë, kurse portierit po i pëlqen fakti që ka interesim të shumtë për të.
Finalja e Kupës së Italisë kundër Atalantas (më 19 maj) pritet të shënojë paraqitjen e fundit të Buffon për Juventusin, ku kishte debutuar në gusht të vitit 2001. /Telegrafi/