Drejtori ekzekutiv i Juventusit, Giuseppe Marotta, ka hedhur poshtë mundësinë e largimit të Paulo Dybalas, për të cilin interesohen Real Madridi dhe Barcelona.
Sulmuesi argjentinas po kërkohet nga gjigantët spanjollë, mirëpo drejtori i Bianconerëve ka përsëritur se 23-vjeçari nuk do të shkojë askund.
“Nuk ka pasur kurrfarë telefonatash (nga klubet spanjolle). Dua të theksoj se kemi një kontratë shumëvjeçare për Dybalan dhe kemi biseduar me përfaqësuesit e tij para disa muajsh për t’ia rritur pagesat, gjë që është e drejtë”.
“Marrëdhëniet tona janë të mira. Nuk ka frikë se mund të largohet. Juve është një prej skuadrave më të mira në botë dhe ky është vendi ku vijnë lojtarët, jo nga ku largohen”, ka deklaruar Marotta për Mediaset Premium.
Dybala ka kontratë me Juventusin deri në verën e vitit 2020. /Telegrafi/