Telegrafi

Përse Sylvinho? Duka thotë se ka luajtur me Zotin e futbollit – Messin

Presidenti i FSH-së, Duka, ka shpjeguar gjatë arsyet pse ka zgjedhur brazilianin Sylvinho.

Në media kanë dalë emrat që kemi diskutuar, nuk ka qenë e lehtë të vendosnim. Gjëja e parë që u kam thënë kandidatëve është që Kombëtarja nuk është vetëm skuadër futbolli, është një përgjegjësi e madhe. Pse Sylvinhon? Kur kemi diskutuar me Sylvinhon, në Milano, kemi diskutuar projektet tona. Kam menduar që është zgjedhje e duhur, për ne për të marrë atë që duhet dhe për trajnerin për të qenë në një shkallë më lart në karrierën e tij. Kur kemi diskutuar mes nesh, me stafin e Federatës, kemi menduar që Reja shumë i vjetër, Silvinho shumë i ri, kështu vendosëm për më të riun.

Keni shkuar deri në Brazil për të gjetur njeriun e duhur, ka ndryshuar koncepti juaj për trajnerin e Kombëtares?

Nuk jemi nisur nga nacionaliteti, por nga cilësitë e kandidatit dhe ato njerëzore. Të tre njerëzit që kemi në panel janë me përvojë evropiane me ekipe shumë të mëdha, kanë eksperiencën e duhur për ta ndihmuar kombëtaren tonë. Dikush më tha se ata kanë luajtur me Zotin, por kush është Zoti? Messi. Ata kanë luajtur me Messin dhe tregon që kanë shumë njohuri për futbollin.

Aspekti teknik dhe financiar, sa kanë luajtur rol?

Do të them një të vërtetë që nuk e kemi deklaruar. Kur zgjedhim trajnerin nuk u shmangemi përgjegjësive. Ka qenë një vendim kolegjial. Kur kemi emëruar Panuccin me stafin teknik me votim dhe ka fituar me vetëm 0.5 pikë ndaj kandidati tjetër. Mbase nuk bëmë zgjedhjen më të mirë. Këtë herë nuk e kemi bërë me pikëzim. Kemi menduar të gjithë se me këtë trajner kemi më shumë mundësi.

Kur flasim për projekt, është vetëm për Europianin?

Kontrata jonë është lidhur me Euro 2024, por kjo nuk do të thotë se do të ndërpresim marrëdhëniet për një shtyllë jashtë, por mendoj se 18 muaj janë mjaftueshëm.

A keni darkuar me Kryeministrin, të tre?

Po, i kam kërkuar unë Kryeministrit të presë stafin, që t’i thotë që Kombëtarja është me të rëndësishme se një skuadër futbolli për shqiptarët

Cili do të të jetë stili që do të luajmë?

Edhe pse nuk jam teknik futbolli, një nga pyetjet ka qenë kjo që ua kam bërë kandidatëve. Realisht kam marrë të njëjtën përgjigje nga të gjithë: varet nga futbollistët që kemi dhe kundërshtarët. Sylvinho do ta thotë vetë cili është moduli i tij i preferuar.

Keni diskutuar me Sylvinhon edhe për ekipet e moshave për një stil loje?

Trajneri i ekipit A është kryetrajner për ekipet e moshave, këtë do të bëjë edhe Silvinho, për të ndihmuar dhe konsultuar për sistemin e lojës, etj. Në situata ndryshme çdo trajner ndryshon modul. Pikërisht për t’u përshtatur janë trajnerët. /ss/