Komisioni hetimor për koncesionet e check-up dhe sterilizimit në Kuvendin e Shqipërisë është kthyer sërish në një arenë përplasjeje midis mazhorancës dhe opozitës.
Pas sherrit të djeshëm midis kryetares së komisionit Albana Vokshi që refuzonte t’i jepte të drejtën e fjalës socialistit Plarent Ndreca, dyshja e ligjvënësve e kanë vijuar edhe sot konfliktin mes tyre, shkruan A2.
Fillimisht Vokshi hyri në sallë e tensionuar duke kërkuar të ndalen punimet e Komisionit pasi deputetët demokratë, që janë anëtarë dhe për të cilët ka një vendim përjashtimi nga Sekretariati i Etikës pasi dogjën karriget e Kuvendit, u ndaluan nga Garda e Republikës që t’i bashkoheshin mbledhjes, raporton A2.
“Keni fjalë apo s’keni. Po si ju përdorin kështu mo? Ndërkohë që duhet të dilni të mbroni kolegët tuaj, që të filloni mbledhjen… A ka mundësi këtu”, iu drejtua Albana Vokshi kolegëve socialistë.
Më pas u përsëritën skenat e ditës së djeshme, ku Vokshi u përplas verbalisht me Plarent Ndrecën, pasi në cilësinë e kryetares ajo kërkoi largimin nga salla të zyrtarit që do të merrej në pyetje për çështjen që është objekt hetimi i komisionit.
“Ka mundësi ti. Të them unë jam kryetare, dil përjashta”, iu drejtua Vokshi.
“Këtu vendos komisioni , nuk vendos kryetari. Jam shumë terezi, ooo ti kryetare, ulu bëj detyrën. Ka mundësi zoti Opra je i thirrur dhe je në proces pyetje, nuk lëviz nga aty. Merret vendim nga Komisioni, jo nga kryetarja”, tha Ndreca.
Ndërkohë Vokshi e tensionuar iu drejtua duke thënë: “Ça komisioni mo, zbato rregulloren se je injorancë juridike”.
Ndreca ia ktheu: “Kujdes me gjuhën”. E para duhet të ulesh dhe ushtro detyrën”.
Pas përplasjeve verbale mes tyre, Vokshi i ka shkulur disa herë mikrofonin Ndrecës duke e hedhur tutje në sallë, me punonjësit e IT që janë ngritur disa herë për ta rregulluar foninë, në mënyrë që deputeti socialist të merrte fjalën. /Telegrafi/