Telegrafi

Përplasje mes drejtuesve të Fenerbahces për Vedat Muriqin

Vedat Muriqi ka futur në sherr drejtuesit e skuadrës së tij Fenerbahce.

Sulmuesi i Kosovës ka kaluar nëpër një formë fantastike këtë edicion me fanellën e klubit nga Stambolli duke zgjuar interesimin e shumë skuadrave të mëdha evropiane.

25-vjeçari po kërkohet nga Lazio, Napoli, Fiorentina, Tottenham Hotspur, Leicester City, Newcastle United, Eintracht Frankfurt, Burnley e Monaco.

Tani tek Fenerbahce ka një sherr mes drejtuesve të klubit, që janë ndarë në dysh sa i përket të ardhmes së Muriqit.

Mediat turke kanë raportuar se disa nga drejtuesit e klubit janë pro shitjes së kosovarit në verë për shumën e 25 milionë eurove.

Por një pjesë tjetër e drejtuesve refuzojnë shitjen e Muriqit, pasi besojnë se qëndrimi i tij edhe për një vit në Stamboll do t’i sillte të ardhura edhe më të mëdha Fenerit.

Drejtuesit që janë kundër shitjes së Muriqit janë të bindur sipas medieve turke se çmimi i prizrenasit pas një viti do të kapte shifrën e 40 milionë eurove.

Gjithsesi vet lojtari ka shprehur dëshirën për të qëndruar te Feneri pasi sipas tij ndihet si në shtëpi. /Telegrafi/