Site icon Telegrafi

Përplasje mes deputetëve të PDK-së dhe LVV-së gjatë raportimit të Agim Veliut në Komisionin për siguri

Në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ku ka raportuar ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka ndodhur përplasje mes deputetëve të PDK-së dhe atyre të LVV-së.

Fillimisht deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu theksoi se LVV është duke tentuar që ta dështojë këtë mbledhje ende pa filluar.

“Po shihet qartë tendenca e VV-së për me dështua mbledhjen hala pa filluar, caktoja 5 minuta me raportua e mos na hupni kohën tu u marr mes veti, fillo mbledhjen nuk ka ndodhë asnjëherë me fillu mbledhja në këtë mënyrë. Po shihet qartë se tendencë e juaja me dështu këtë mbledhje”, tha Musliu duke iu drejtuar kryetares së këtij komisioni Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Pas kësaj reagoi edhe Mulhaxha-Kollçaku e cila theksoi se shkaku i procedurës dhe kërkesë që ministri Veliu të lirohet para kohe, i duhet të diskutojë këtë gjë, shkruan Telegrafi.

“Ministri kërkoj mu liru para kohe, jam e detyruar që ta diskutoj sepse as juve nuk ju mjaftojnë 5 minuta për raportim e as neve koha. Nuk e marr përsipër që deputetë nuk do të kanë kohë me parashtru pyetje”, ka thënë Mulhaxha-Kollçaku, duke thënë se ministri ka bërë të ditur se ka kohë vetëm 45 minuta për raportim e kjo nuk mjafton.

E replikë pati edhe nga deputeti dhe anëtari i këtij komisioni nga radhët e PDK-së, Elmi Reçica.

Reçica iu drejtua kryetares së komisionit Fatmire Mulhaxha-Kollçaku “se nuk e di qysh ke ardhë në krye të këtij komisioni”

I menjëhershëm ishte reagimi i deputeti Rexhep Selimi i cili iu drejtua Reçicës me “kjo s’është punë e jotja”.

Reçica iu përgjigj “Rexhë rri aty edhe prite fjalën”, e pastaj sërish reagoi Selimi “jam tu pritë”.

Lidhur me këtë deklaratë të Reçicës, reagoi edhe Mulhaxha-Kollçaku duke i thënë Reçicës se “Unë nuk ju kam pyetur juve se qysh keni ardhë në komision, nëse ju pengon pozita ime bëni ankesë”. /Telegrafi/

Exit mobile version