Telegrafi

Përplasja mes Abdixhikut e Bislimit në Kuvend, Armend Zemaj ka një shpjegim për sjelljen e kryetarit të LDK-së

Deputeti Armend Zemaj ka dyshime se është bërë strategji e pozitës mos lejimi i deputetëve opozitarë për të mbaruar si duhet fjalimet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Sot në Kuvendin e Kosovës ka pasur përplasje të ashpra derisa po debatohej për ngritjen e çmimeve.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka përdorur një term jo parlamentar derisa iu drejtua Kurtit me fjalët: “Kryeministër, të lutem lidhe zëvendëskryeministrin. Trego respekt minimal në fjalim”.

Bislimi në kundër-reagimin e tij ka thënë se e pyeti Kryeministrin mos Abdixhiku e di edhe datën e përfundimit të luftës pasi “i diti të gjitha për ngritjen e çmimeve”.

Për këtë përplasje ka folur në RTV Dukagjini, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

Lexo po ashtu Abdixhiku, Kurtit: Të lutem lidhe zëvendëskryeministrin

“Nuk ekziston deputet i opozitës që mund të mbarojë fjalimin e tij në Kuvend pa pasur ndonjë zhurmë, ndërhyrje, fyerje, çështje apo gjëra që ne deri më tani kemi menduar se janë praktikantë. Por këta më nuk janë praktikantë. E di që shumica prej tre punën e  parë e kanë deputet në Kuvend, por duhet të mësohemi ta dëgjojmë tjetrin”, tha ai, përcjell Telegrafi.

“Ndërhyrjet nga mbrapa sigurisht se e pengojnë fjalimin e deputetëve, mund të kanë penguar edhe liderin e LDK-së në këtë rast. Ato zhurma janë të qëllimshme. Kemi menduar se mësohen këta deputet me kohën, por kemi parë se janë një lloj strategjie që të pengojnë deputetët rival të përfundojnë fjalimet e planifikuara në mënyrë korrekte”.

Lexo po ashtu Bislimi: I impresionuar pyeta Kurtin nëse deputeti Abdixhiku e di kur do të përfundojë lufta në Ukrainë

Zemaj thotë se për shkak të këtyre gjërave ka reaguar sot edhe Abdixhiku duke i kërkuar Kurtit t’i disiplinojë ministrat e tij./Telegrafi/