Site icon Telegrafi

Përplasja Kurti-Brnabiq e propozimi për zgjerimi të BE-së deri më 2030 – gjithçka që u tha në ditën e parë të Forumit të Bledit në Slloveni

Forumi i Bledit në Slloveni, mblodhi edhe njëherë liderë të ndryshëm përfshirë këtu edhe liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë Forum i cili ka nisur punimet dje, po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti gjatë ditës së djeshme ishte në një panel diskutimi së bashku me kryeministrat e vendeve tjera të rajonit, përfshirë këtu edhe kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiq, me të cilën patën edhe një përplasje.

Ishte fillimisht kryeministrja serbe ajo e cila se Kosova nuk është vend i njohur ndërkombëtarisht dhe se dyshon që do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.

Lexo po ashtu Kurti përplaset me Brnabiqin në Slloveni: Serbia as sanksione nuk i ka vendosur Rusisë

“Së pari duhet të them se është vendi im nuk janë dy vende, Kosova e ashtuquajtura Republika e Kosovës nuk është vend ndërkombëtarisht i njohur, nuk është pjesë e OKB-së. Dyshoj se do bëhet pjesë e BE-së, së paku jo derisa të ketë njohje nga vendet e BE-së”, ka thënë Brnabiq.

Pas kësaj deklarate ka reaguar kryeministri Albin Kurti, i cili tha se nuk është e lehtë për Kosovën që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, një shtet ky që nuk është distancuar as nga Millosheviqi e as nga Putini.

“Mbështetja në Kosovë për BE-në është 94%, në Serbi është 36%. Ne i kemi vendosur sanksione ndaj federatës ruse, Serbia as nuk po i mendon, nuk janë distancuar as nga Millosheviq as nga Putin. Nuk është e lehtë për neve. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është shumë më i vështirë. Mund të ndodh, por normalizimi në psikologji do të thotë mungesë e konfuzionit mes realitetit e fantazisë. Dhe ky është regjistër tjetër që unë nuk mund të kontribuoj”, tha Kurti.

Kjo deklaratë e kryeministrit u përcoll me duartrokitje nga të pranishmit.

Gjatë fjalimit të tij, Kurti ka thënë se është duke punuar me pesë shtetet mosnjohëse të BE-së.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se njohja “De-facto” dhe “De-jure” janë të ndara në Ballkan kështu që kjo çështje duhet të përmbyllet e të zgjidhet.

Tutje, Kurti ka thënë se duhet të ketë shtensionim të situatës Kosovë-Serbi, ku siç ka theksuar ai, Kosova ka kontribuar në këtë duke ulur për 50% praninë e policisë në veri dhe duke pasur zgjedhje të parakohshme.

Kurti kërkon vigjilencë nga ndërkombëtarët: Serbia mund ta destabilizojë sërish veriun

Në margjinat e Forumit Strategjik të Bledit, që po mbahet në Slloveni, kryeministri Albin Kurti ka pasur takime të shumta me homologë të vendeve të ndryshme mike.

I pari i Qeverisë ka kërkuar më shumë vigjilencë nga partnerët sa i përket sjelljes së Serbisë në lidhje me situatën në veri.

Një takim me rëndësi  Kryeministri Albin Kurti e zhvilloi me të Dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach. Kurti e njoftoi atë mbi mbarëvajtjen e zbatimit të marrëveshjes së Bratisllavës ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian në lidhje me de-eskalimin e plotë të situatës në veri të vendit.

Kurti, ka biseduar edhe me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, për rundin e ri të bisedimeve të nivelit të lartë, që parashihet të mbahet në shtator.

Lexo po ashtu Takime të shumta në Forumin e Bledit, Kurti kërkon vigjilencë nga ndërkombëtarët: Serbia mund ta destabilizojë sërish veriun

Në ish rezidencën presidenciale Vila Bled, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti takoi edhe homologun e Sllovenisë, Kryeministrin Robert Golob, njëherësh shtet nikoqir i Forumit të Sigurisë.

Kurti zhvilloi një takim bilateral me homologun e tij bullgar, Nikolai Denkov, një javë një javë pas darkës së përbashkët në Athinë.

Takimin e fundit të ditës së hënë në Bled, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e zhvilloi me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE, Michael Carpenter, me të cilin diskutoi mbi çështjet aktuale në vend dhe për procesin e dialogut, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.

Kryeministri theksoi se pasi kanë kaluar më shumë se dy muaj pa incidente dhe protesta të dhunshme në katër komunat në veri, dhe ulje të prezencës së Policisë së Kosovës në dhe përreth ndërtesave të komunave përkitazi me situatën në teren, deeskalimi tashmë ka ndodhur, dhe se rieskalimi potencial duhet të parandalohet.

Propozohet që deri më 2030 BE-ja dhe shtetet kandidate të jenë gati për zgjerim

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, bëri thirrje që viti 2030 të caktohet si afati deri kur Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate të jenë të gatshëm për zgjerim.

Gjatë fjalimit në Forumin Strategjik të Bledit, ai përsëriti disa herë se tash e tutje vendeve kandidate duhet referuar si “vende të ardhshme anëtare të BE-së”.

Në Forumin e Bledit në Slloveni po marrin pjesë liderët e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, por edhe liderë të disa shteteve të BE-së.

Lexo po ashtu Zgjerimi i BE-së po “fërshëllen” sërish, kthehen shpresat për Ballkanin

Michel tha se BE-ja duhet të përballet me dilemën se a do të jetë vetëm një union që merret me menaxhimin e krizave apo një aktore që vendos për të ardhmen.

Ai pranoi se rruga e gjatë e shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, që ka nisur para më shumë se 20 vjetësh, ka shkaktuar zhgënjim te shumë njerëz, si në rajon, ashtu edhe në bllokun evropian.

Tani, kjo është sfiduese. Zgjerimi i BE-së ka ngecur prej se Kroacia i është bashkuar bllokut, një dekadë më parë.

Forumi i Bledit do të vazhdoj punimet edhe sot në Slloveni dhe përmban tre panele që do t’i referohen të ardhmes së Evropës dhe në lidhje me Partneritetin Lindor, Partneritetin Jugor dhe Ballkanin Perëndimor. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version